Nënkomisari Shkëlzen Gjonaj është përjashtuar nga rradhët e policisë së shtetit, pas publikimit të një video të tij ku hyn brenda mjetit të një qytetari dhe i kontrollon portofolin. Gjithashtu janë publikuar pamje ku ai godet me grushte e shkelma një të ri brenda një lokali në Shkodër.
AMP raportohet se është duke kryer veprimet procedurale për arrestimin e Gjonajt.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër-Lezhë) në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Shkodër, në saj të një pune të përbashkët hetimore në funksion të procedimit penal regjistruar më datë 31.05.2023, ka finalizuar me sukses dokumentimin ligjor të veprimtarisë së kundërligjshme të punonjësit të policisë Nënkomisar SH. GJ., 55 vjeç, , me detyrë Specialist Rendi në Komisariatin e Policisë Shkodër.
Ndaj këtij punonjësi, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Shkodër ka nxjerrë urdhër ndalimi për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Kanosje”, në dëm të shtetasve me iniciale B. U. dhe A. B.
Ky rast është publikuar në media më datë 01.06.2023
AMP fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.” – njofton AMP.