Një 40-vjeçar është arrestuar paraditen e sotme në Himarë, pasi akuzohet se ka vjedhur një automjet dhe më pas është larguar me shpejtësi.
Bëhet fjalë për Florian Mehmeti, me precedent kriminal në fushën e vjedhjes. Sakaq policia bën me dije se janë sekuestruar dy automjete. Mehmeti është banues në Tiranë.
40-vjeçari, pasi ka vjedhur automjetin tip “Suzuki”, në pronësi të shtetasit me iniciale L. V., në vendin e quajtur “Llaman”, është larguar me shpejtësi, në aksin rrugor “Himarë-Sarandë”. Shërbimet e Policisë janë vënë menjëherë në ndjekje të këtij shtetasi, dhe pas disa minutash, kanë bërë të mundur kapjen e tij.
Automjeti i vjedhur, së bashku me një automjet tjetër, që dyshohet se përdori 40-vjeçari për t’iu afruar vendit ku kreu vjedhjen, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.