Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas në Shqipëri, Albana Vokshi ka folur në takimin me gratë dhe vajzat në Elbasan duke sulmuar qeverinë për mungesë të fushatës së sensibilizimit për kancerin e gjirit.
Gjatë fjalës së saj, Vokshi e ka quajtur tetor i errët për të gjitha gratë dhe vajzat shqiptare, pasi 220 zonja që kanë humbur jetën në 5 vitet e fundit për shkak të shërbimit shëndetësor jo të duhur. Më tej ajo nuk ka lënë pa kritikuar edhe ministren e Arsimit, Evis Kushi ku tha se për fat të keq ne kemi një grua ministre të shëndetësisë që nuk u kujdes për asgjë tjetër veçse tenderat sekretë të pandemisë në vend që të ndërmerrte masa që të ndihmonte gratë.
“Në mungesë së fushatës së sensibilizimit nga ana e Ministres së Shëndetësisë, Arsimit apo të të gjithë institucioneve shtetërore, mbetet fjala jonë, mbetet sensibilizimi jonë, ajo çka ne mund të bëjmë jo një ditë por 365 ditë të vitit.
Ky duhet të ishte “Tetori rozë”, po ky është një tetor tjetër, më i errët për të gjitha gratë dhe familjet shqiptare. Ne kemi 220 zonja që kanë humbur jetën në 5 vitet e fundit për shkak të shërbimit shëndetësor jo të duhur, sensibilizimi nuk ka qenë i duhuri dhe për të gjitha arsyet e tjera.
Ky aktivitet është vetëm i pari i një kalendari shumë të ngjeshur të Lidhjes Demokratike të Gruas por edhe të degëve të Partisë Demokratike. Kemi menduar aktivitete në Korçë, në Durrës, Shkodër, Tiranë dhe në të gjitha degët e tjera të Shqipërisë. Ne do jemi derë më derë, rrugë më rrugë duke shpërndarë broshura, të ftojmë mjeke, infermiere që e kanë kaluar kancerin e gjirit të cilat dinë ta shpjegojnë më mirë se si të përballen gratë me të.
Për Lidhjen Demokratike të Gruas dhe për Partinë Demokratike jeta e çdo gruaje është e rëndësishme. Për fat të keq ne kemi një grua ministre të shëndetësisë që nuk u kujdes për asgjë tjetër veçse tenderat sekretë të pandemisë në vend që të ndërmerrte masa që të ndihmonte gratë. Kemi në krye të minisrisë një grua por gratë janë të privuara nga shërbimet shëndetësore. Kemi 12 gra ministre por a ka politika mbështetëse për ju gra.
Shëndeti i gruas nuk është statistikë siç pretendon kryeminisri, ndaj jemi këtu për t’ju lutur të bëni testë, mamografitë sepse një mamografi shpëton jetë. Duajeni jetën tuaj, veten tuaj”, deklaroi Vokshi.