Volumet e transportit të mallrave pësojnë sërish rënie

Volumet e transportit të mallrave pësuan sërish rënie gjatë muajit korrik.

Sipas të dhënave nga INSTAT, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte ishte 334.5 mijë tonë, në rënie me 28% krahasuar me Korrikun e vitit të kaluar.

Për të gjithë 7-mujorin, volumet totale të mallrave të përpunuara në portet e vendit rezultojnë në rënie me 14%. Ky mund të jetë një tregues i efektit negativ të inflacionit të lartë në volumin e tregtisë së mallrave dhe në konsum. Tendencë negative shfaqën edhe treguesit e transportit ajror të mallrave. Për korrikun, rënia e volumeve ishte në masën 12.2%. Kjo bëri që bilanci i deritanishëm vjetor të kalojë në territor negative, me një rënie të lehtë me 0.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjithashtu, tendencë në rënie regjistrojnë edhe treguesit e transportit hekurudhor, që u tkurrën me 4.2% për Korrikun dhe me 29.7% për shtatëmujorin.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se tregtia e jashtme në vlerë për 7-mujorin e parë të vitit është rritur me 13% krahasuar me një vit më parë. Por, në volum këmbimet tregtare kanë një tendencë të qartë në rënie, që mund të jetë ndikuar nga inflacioni më i lartë në më shumë se 20 vjet. Nga ana tjetër, treguesit e transportit të njerëzve vazhdojnë të shfaqen pozitive, të nxitura sidomos nga rritja e turizmit.

Për korrikun, numri i pasagjerëve në transportin ajror u rrit me pothuajse 45%. Për të gjithë shtatëmujorin rritja e numrit të pasagjerëve arriti në gati 130%, për një numër total prej 2.7 milionë pasagjerësh. Numri i fluturimeve nga aeroportet e vendit gjithashtu është në rritje të dukshme, me 81% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Norma të larta rritjeje shfaqi edhe transporti detar, ku numri i pasagjerëve u rrit me 72% për korrikun dhe me 74% për të gjithë shtatëmujorin e parë të vitit.

Mbështetur në të dhënat e INSTAT, për shtatë muajt e parë të vitit janë tregjistruar mbi 6.8 milionë hyrje (në rritje vjetore me 42%) dhe pothuajse 6.9 milionë dalje (në rritje vjetore me 47%) të individëve nga territori i vendit. Këto shifra kanë ndikuar në rritjen e ndjeshme edhe të tregut të transportit detar dhe ajror./monitor

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *