Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen zhvilloi pasditen e sotme një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, u njoftua dhe mbajtja e Samitit mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor më 6 dhjetor në Tiranë. Von der Leyen ka sqaruar se në samit do të flitet mes të tjerash edhe rreth luftës, krizës energjitike, situatës ekonomike dhe çështje të cilat do të jenë aktuale në kohën që do të mbahet samiti.
“Do diskutojmë situatën politike, në qendër do jetë lufta e si mund të mbështesim më tek Ukrainën. do qendrojmë krah saj derisa të duhet, Energjia do jetë gjithashtu një pikë e diskutimit. Do kenë edhe tema të tjera si infrastruktura e si do trajtohet kriza. Do të flasim për zhvillimin ekonomik dhe aktualitetin. një gjë që pres të diskutohet është mikpritja e mrekullueshme e Shqipërisë e di që do të jetë një samit i mrekullueshëm e nuk do të zhgënjehem”, deklaroi Von der Leyen.
Ndërkohë, gjatë fjalës së tij në konferencë kryeministri Rama, gjeti rastin të bëjë ‘avokatin’ e imazhit të Shqipërisë.
Teksa po fliste për samitin që do mbahet në dhjetor, ku së bashku me liderët politikë do jenë dhe gazetarë politikë, të cilët sipas Ramës kanë menduar se vendi ynë është i rrezikshëm. Rama u shpreh se rreziku i vetëm i Shqipërisë është që të bën të dashurohesh me të pasi e ke vizituar.
“Pritshmëria ime është që të vijnë një herë këtu gjithë udhëheqësat e Europës. Të diskutojmë një herë për këto tema, për çfarë është bërë dhe për çfarë mund të bëhet bashkërisht. Tani është krijuar një sinergji pozitive midis Ballkanit Perëndimor dhe Europës. E konsiderojnë me një vlerë të barabartë. Ne jemi europiane dhe fatet në gjërat e mëdha i kemi të përbashkëta. Bashkë me gjithë delagcionin që do vijnë në Tiranë më 6 dhjetor do vijnë shumë gazetarë, të cilët i përkasin kategorisë gazetar dhe që merren me politikë dhe të cilët, pjesa më e madhe rregullisht kanë menduar dhe mendojnë se Shqipëria është një vend i rrezikshëm, do vijnë këtu dhe do ikin me të njëjtën mendim kur e lënë Shqipërinë, që Shqipërinë ka vetëm një rrezik, që të bën të dashurohesh me të. Natyrisht këtë risk e keni kaluar ju dhe ndaj e keni humbur dashurinë për të”, theksoi Rama.