Von der Leyen: Kosova ta pranojë asociacionin, Serbia njohjen de facto!

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përsëriti qëndrimin evropian se Kosova duhet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Serbia të njohë de facto Kosovën. Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, zyrtarja evropiane tha se draft-statuti i propozuar së fundi nga diplomatët evropianë, është në qendër të bisedimeve për heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja ka vendosur më herët gjatë vitit ndaj Kosovës, pas rritjes së tensioneve.

“Ajo që kam biseduar me presidenten, dhe që do ta bisedoj edhe me kryeministrin është se çfarë mund të bëjmë për të hequr masat [ndëshkuese]. Këtu është çështja e draft-statutit në qendër të diskutimeve dhe praktikisht është një hap i rëndësishëm përpara në normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Është krucial dhe sigurisht që do të hapë derën për të pasur qasjen në planin e rritjes [së BE-së]. Po punojmë në këtë drejtim. Këtu na duhen të dyja palët të bëjnë pjesën e tyre, por është po ashtu kruciale që jo vetëm të ketë shtensionim të situatës por edhe të lëvizet në rrugën drejt BE-së”, tha von der Leyen.

Osmani ndërkaq tha se në takim me zyrtaren evropiane ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese, që BE-ja vendosi pas rritjes së tensioneve në veri në fund të majit. Kosovës dhe Serbisë i është prezantuar një propozim për draft-statutin e Asociacionit, gjatë takimeve të diplomatëve ndërkombëtarë më 21 tetor. BE-ja ka thënë se ky propozim është një model evropian. Më 26 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksadar Vuçiq, në Bruksel zhvilluan takime të ndara me zyrtarë të BE-së dhe me liderët e Francës, Italisë dhe Gjermanisë. Kurti është shprehur se drafti i propozuar për Asociaconin është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Ai po ashtu ka deklaruar se ka qenë i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje për normalizimin e raporteve, por për këtë nuk është pajtuar Vuçiqi.

Vuçiq ndërkaq ka thënë se Serbia është e gatshme të respektojë Marrëveshjen drejt normalizimit – që palët arritën më herët gjatë vitit – por, vetëm pjesët që nuk përfshijnë njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Sa i përket draft-statutit për Asociacionin, Osmani tha se ky dokument do t’i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk deshi të deklarojë nëse ajo mendon se është në përputhje me Kushtetutën.

“Çështja kryesore e diskutimeve që kemi me shtetet e Ballkanit Perëndimor, sikurse me Kosovën dhe Serbinë, është se si mund të punojmë më ngushtë së bashku dhe sigurisht edhe anëtarësimi potencial në BE. Për këtë [anëtarësimit], parimet bazike, vlerat bazike duhet të respektohen dhe zbatohen. Prandaj është zgjedhja e një shteti që kur dëshiron të lëvizë përpara, me të gjitha efektet pozitive që ka në ekonomi dhe financim, në mundësi më të mëdha biznesi… pra, është zgjedhja sovrane e një shteti nëse dëshiron të ecë në rrugë me ne, apo zgjedh ndryshe. Parimi i BE-së është normalizimi i raporteve fqinjësore, i raporteve të mira fqinjësore”, tha shefja e KE-së.

Zyrtarja evropiane gjendet në turne ballkanik për të shpalosur planin e investimeve të BE-së për Ballkanin perëndimor. Ky plan i rritjes kap shifrën e 6 miliardë eurove, ku 2.1 milionë prej tyre janë në formë të granteve dhe 4 miliardë të tjera në formë të kredive. Von der Leyen tha se blloku dëshiron që të ketë një përafrim ekonomik me tregjet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të ketë më shumë mundësi për kompanitë.

Duke folur për reformat në Kosovë, ajo tha se ka përparim, por që ende duhet punë në reforma në sektorë të ndryshëm, sikurse në përmirësimin e klimës së të bërit biznes, në luftimin e korrupsionit dhe reformat në gjyqësor. Para Prishtinës ajo qëndroi në Shkup, ndërkaq turneun do ta vazhdojë në Podgoricë, Beograd dhe Sarajevë./rel

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *