Von der Leyen rizgjidhet në krye të Komisionit Evropian

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është zgjedhur edhe për një mandat në krye të këtij institucioni.

Për t’i dhënë edhe një mandat pesëvjeçar von der Leyen votuan 401 eurodeputetë. Asaj i duheshin 361 vota nga 720 sa janë gjithsej në Parlamentin Evropian.

Para votimit, von der Leyen i ka bërë publike prioritetet e saj për mandatin e ardhshëm, duke përfshirë edhe procesin e zgjerimit të bllokut evropian.

“Kremtimi i 20-vjetorit të zgjerimit më të madh ndonjëherë të BE-së na mundësoi të reflektojmë mbi këtë proces, që u dëshmua si sukses për këto vende, dhe për BE-në në tërësi.

Historia na thërret përsëri dhe BE-ja ka një zgjedhje për ta bërë për të ardhmen e saj. Unë besoj se është një imperativ moral, politik dhe gjeo-strategjik që ta kompletojmë bllokun tonë, në përputhje me premtimet që kemi dhënë në bazë të traktateve”, është thënë në deklaratën e shefes së BE-së.

Ajo ka thënë se në një botë ku ekzistojnë fuqitë e mëdha, një BE më e fortë dhe më e zgjeruar, i jep Evropës një peshë më të madhe në skenën globale. Ajo ka përsëritur se procesi i zgjerimit do të mbetet i bazuar në meritat individuale të atyre që duan të bëhen pjesë e BE-së.

“Ky nuk do të jetë një rrugëtim i lehtë. Anëtarësimi në BE do të jetë gjithmonë i bazuar në merita dhe secili kandidat do të vlerësohet në bazë të progresit në përmbushjen e kritereve. Do t’i rrisim përpjekjet për t’i përgatitur vendet kandidate, në veçanti përmes investimeve dhe reformave me planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor, dhe mjetet për Ukrainën”, ka thënë ajo.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *