Von der Leyen: Rusia duhet të mbajë përgjegjësi për krimet në Ukrainë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha të shtunën se Rusia duhet të mbajë përgjegjësi për luftën e nisur në Ukrainë. Ndërkohë luftime të ashpra kanë përfshirë qytetin ukrainas Bakhmut, ndërsa forcat ruse të mbështetura nga njësi të shumta të grupit privat mercenar “Wagner” duan që me çdo çmim të marrin kontrollin e këtij qyteti.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen thotë se Rusia duhet të mbajë përgjegjësi për luftën e nisur në Ukrainë. Duke folur në një konferencë të fundit në Bruksel, Von der Leyen theksoi nevojën për një gjykatë që do të gjykonte krimet e agresionit të Rusisë në Ukrainë.

“Agresioni i Rusisë ka shkaktuar vuajtje të papërshkrueshme në Ukrainë. Pothuajse një vit më parë, bota zbuloi tmerret në qytetin Bucha. Unë vetë isha atje dhe kam parë mizoritë e kryera nga forcat ruse. Ka prova në rritje të sulmeve të drejtpërdrejta kundër civilëve si dhe sulmet që goditën infrastrukturën energjitike. Tortura, keqtrajtime, dhuna seksuale dhe ekzekutime janë kryer nga forcat ruse. As fëmijët nuk po kursehen. Rusia duhet të mbajë përgjegjësi për këto krime të tmerrshme dhe presidenti rus Vladimir Putin duhet të mbahet përgjegjës. Ne duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të sjellë autorët para drejtësisë. Bashkimi Evropian është mbështetës i rolit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Ne gjithashtu besojmë se duhet të ketë një gjykatë të posaçme për të ndjekur penalisht rusët që kanë kryer krime. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të punojë me partnerët tanë për të siguruar që Rusia të paguajë”, tha zonja Von der Leyen.

Për të treguar se mbështetja për Ukrainën do vijojë deri sa të jetë e nevojshme edhe Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola zhvillimoi një takim në Lviv me presidentin Zelenskyy.

Presidentja e Parlamentit Europian u tha gazetarëve në një konferencë se ata që janë përgjegjës për krimet e luftës të kryera në Ukrainë “duhet të japin llogari”.

“Nuk është më çështja se si. Është çështje se kur… Ka të bëjë me vënien e personave përgjegjës, përfshirë Vladimir Putinin, para drejtësisë. Pa këtë, ne nuk do të kemi paqe”, tha ajo.

Ndërkohë të premten zoti Zelenskyy u takua me Prokurorin e Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland dhe zyrtarë të lartë evropianë, ndërsa bëri thirrje që Rusia të dënohet për krime luftës.

Qyteti Bakhmut tani është në qendër të luftimeve, ndërsa trupat ruse, përfshirë forca të mëdha nga grupi privat “Wagner”, duan që me çdo çmim të marrin kontrollin.

Instituti për Studimin e Luftës, një institut amerikan, tha se forcat ukrainase dukej se po përgatiteshin për një tërheqje të kontrolluar nga të paktën disa pjesë të qytetit Bakhmut.VOA

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *