Vonesa të mbërritjes së mallrave dhe rritje çmimesh/ Si do ta shtrijë efektin bllokimi i kanalit të Suezit deri në Shqipëri

As Shqipëria duket se nuk do t’i shpëtojë krizës që mund të krijohet nga bllokimi i kanalit të Suezit, që pritet të sjellë efekte të mëdha në ekonominë globale.

Sipas gjasave, nga ky incident duket se do të preket edhe tregtia e mallrave mes Shqipërisë dhe Kinës, apo edhe vendeve të tjera nga Azia, deri në një zhbllokim të situatës.

Burimet nga Drejtoria Detare bënë me dije për mediat se, midis anijeve të bllokuara në Suez nuk ka asnjë me flamur shqiptar, por nuk përjashtojnë mundësinë e kontejnerëve me mallra me destinacion Shqipërinë.

Në rast se autoritetet vendosin që të zhvendosin kontejnerët nga anija e bllokuar për të ndjekur një pikë kalimi përmes Afrikës, vonesat do të jenë të mëdha nga 12-14 ditë, ose edhe përtej këtij afati.

Një proces i cili do të shoqërohet edhe me kosto shtesë të transportit, pasi devijimi i rrugës do të bëjë që porositësit të paguajnë shtesë, për mbërritjen e mallrave në destinacion.

Ndërsa në botë efektet janë ndjerë tashmë në rritje të çmimit të naftës bruto, si dhe paralajmërohet edhe për rritje të çmimeve të mallrave të tjera. Por në Shqipëri nuk ka ende të pasqyruar efekte.

Por, ekspertët për çështjet e tregtisë nuk përjashtojnë mundësinë e ndikimin edhe pse në një përqindje të vogël në volumin e mallrave tregtare, veçanërisht nga Kina.

Kundrejt kësaj të fundit, Shqipëria ka parë një rritje të eksporteve këtë fillim viti, kryesisht për produktet plastike e kimike si dhe ato te makinerive e pjesëve të këmbimit.

Për periudhën janar-shkurt, vendi ka importuar nga Kina në total 9.1 miliardë lekë mallra, teksa ka eksportuar në drejtim të saj rreth 11.3 milionë euro mallra “Made in Albania” në drejtim të saj.

Por kostoja e vërtetë e katastrofës do të jetë shumë më e lartë pasi vonesat në mallrat shkaktojnë humbje në firmat anembanë globit. Kate Harding, shefi ekzekutiv i firmës së të dhënave tregtare Coriolis Technologies, paralajmëroi se rreziqet për tregtinë globale janë ‘absolutisht të mëdha’.

Nëse kanali nuk mund të zhbllokohet shpejt, firmat e transportit nuk do të kenë zgjidhje tjetër përveç se të drejtojnë anijet e tyre rreth Kepit të Shpresës së Mirë në majë të Afrikës një rrugë që i shton udhëtimit 14 ditë dhe 5,000 milje detare.

Kjo do të rriste më shumë kostot e transportit e cila do të reflektohej në rritje çmimesh në produktet që përfshijnë edhe ushqimin e naftën.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *