Vonesat në shkarkimin e anijeve/ Linjat detare letër Ramës, ja kërkesat

Prej gati 3 javësh në terminalin e kontejnerëve në portin e Durrësit vijon të ketë vonesa të gjatë në shkarkimin në port të anijeve, si dhe ngarkimit të tyre në kamionë.

Pavarësisht se Autoriteti Portual Durrës (APD) është angazhuar për zgjidhjen e problematikës, situata vazhdon të mbetet e njëjtë sipas drejtuesve të linjave detare. Ata ngrenë shqetësimin se vonesat po shkaktohen nga mungesa e mjeteve të ngarkim-shkarkimit dhe produktivitetit të tyre, për rrjedhojë po shtohen kostot për ta dhe furnitorët.

Disa ditë më parë 5 kompanitë e linjave detare, CMA CGM ALBANIA, MEDITERRANEAN SHIPPING COMPANY ALBANIA, STACON SHIPPING AL, HUB ADRIATIC, STELLA MARE një letër drejtuar kreut të autoritetit Portual Durrës (APD) Pirro Vengu, ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës (MIE) Belinda Balluku dhe kryeministrit Edi Rama ngrenë shqetësimin e kostove shtesë nga vonesat e gjata në shkarkimin e anijeve.

Operatorët theksojnë se e gjitha kjo vjen për shkak të pamjaftueshmërisë së mjeteve të ngarkim-shkarkimit dhe produktivitetit të kompanisë koncensionare, por teksa APD dhe koncensionari fajësojnë njëra-tjetrën situata mbetet pa zgjidhje.

“Në shumicën e kohës që ne evidentojmë dhe ju paraqesim problemin APD bën fajtor operatorin e shërbimit “Mariner Adriatic”, ndërsa ky fundit na komunikon gjendjen problematike të vinçave dhe mjeteve të ngarkim-shkarkimit. Përfundimisht, ngelemi pa zgjidhje”, theksojnë operatorët në letër.

Shërbimi për përpunimin e anijeve në terminalin e kontejnerëve prej muajit mars 2021 funksionin me koncesion nëpërmjet “Hili Company Limeted” e përfaqësuar në Shqipëri nga filiali “Mariner Adriatic” për një afat 5 vjeçar. Kompania koncesionare është përgjegjëse vetëm për mirëmbajtjen e mjeteve që përdoren për shkarkimin e anijeve, pasi asetet infrastrukturore dhe pajisjet sipas parashikimeve të kontratës koncesionare janë transferuar nga autoriteti kontraktor APD tek kontraktori “Mariner Adriatic”.

Më herët shërbimi në terminalin e kontejnerëve administrohej nga kompania turke “Durrës Container Terminal” e cila kishte nënshkruar me qeverinë shqiptare në 2011 kontratën koncesionare me afat 30 vjeçar. Në 2018 qeveria kërkoi anulimin e koncesionit, duke hapur çështje gjyqësore, pasi koncesionari nuk kishte përmbushur kushtet. Për përfundimin e kontratës kompania turke i është drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit. Pas një periudhe që shërbimi u menaxhua nga APD, gara për tenderin ndërkombëtar u fitua nga kompania malteze “Hili Company Limeted”.

Sipas përllogaritjeve të operatorëve detarë aktualisht rënia e produktivitetit të koncesionarit “Mariner Adriatic” në 22 deri 23 kontejnerë në orë krahasuar në një sasi prej 30 kontejnerë në orë që ishte produktiviteti përpunues i kompanisë së mëparshme koncesionare turke, “Durrës Container Terminal” ka shtuar 500 orë pritjet e anijeve për shkarkim./Monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *