Ish-efektivi Xhelal Reçi mendohet të jetë ekzekutuar nga anëtarët e një grupi kriminal nga Fieri, vend ku dhe rezultoi e vjedhur “Toyota” që përdorën atentatorët. Pasi kaluan dy ditë nga krimi që tronditi Laçin, persona me precedentë penalë që jetojnë në Fier janë shoqëruar në komisariat për tu marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen në fjalë.
Nuk dihen ende identitete apo dëshmi të personave të shoqëruar por hetimet vijojnë. Gjithashtu mësohet se në polici është shoqëruar edhe djali Ii viktimës, Besnik Reçi, pasi telashet e këtij të fundit janë pista kryesore që grupi hetimor ka mbi tavolinë. Besnik Reçi dyshohet të jetë i përfshirë në disa ngjarje kriminale të ndodhura në Fier, Durrës dhe Lezhë, për të cilat është shoqëruar dhe marrë në pyetje nga policia. Gjithsesi ai nuk është arrestuar asnjëherë zyrtarisht për asnjë vepër penale.
Xhelal Reçi, ish-efektiv policie u vra mëngjesin e një dite më parë në Laç teksa hapte bizneset e tij. Në momentin që zbriti nga mjeti i llojit “Mercedez Benz”, Reçi u qëllua për vdekje me armë zjarri nga një prej autorëve që ishin të maskuar dhe me kapelle. Personi tjetër priti në mjetin “Toyota” të vjedhur në Mbrostar të Fierit, të cilës i kishin mbivendosur dhe targa italiane. Kamerat e sigurisë janë sekuestruar dhe pritet që prej tyre të zbardhen më tepër detaje në lidhje me personat në fjalë që dyshohet të jenë paguar për këtë krim. Urdhëruesi është ende mister. Makina që përdorën autorët u gjet e djegur në afërsi të Lumit Mat në Milot, por brenda saj s’u zbulua asnjë gjumë që mund tu vinte në ndihmë autoriteteve. Arma e krimit nuk është gjetur ende.
/Priza.al/