Partia Demokratike ka kërkuar interpelancë me Ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani në afërsi të shkollës Fan Noli në Tiranë. Opozita e cilëson këtë ngjarje si të paralajmëruar dhe sipas tyre qeveria nëpër shkolla dhe jashtë saj duhet të rrisë sigurinë.
“Qeveria ka propaganduar të ashtuquajturën “Paketa e Sigurisë në Shkolla” që do të identifikonte rreziqet, do të rriste sigurinë, jo vetëm brenda shkollës, por edhe ne perimetrin e sigurisë jashtë shkollave. Oficer të trajnuar duhet të merreshin me këtë çështje dhe do ishte sipas qeverisë prioritet i MAS. Në shtator të këtij viti kryeministri është shprehur se : ”se oficeri i sigurisë duhet të jetë në vend të prindërve, që duhet të njohë çdo nxënës dhe problematikat e tyre, që ata të ndihen dhe të jenë të sigurt në institucionet arsimore”. Ndërsa për të vlerësuar situatën psikologjike të fëmijës, është vendosur edhe figura e psikologut në shkolla”, thuhet në kërkesën e PD.
Nëse kërkesa për interpelancë do të pranohet do ta zhvillojë deputetja Ina Zhupa që është edhe kryetare e Komisionit të Medias.