Një 15-vjecar, nxënës i klasës së 9-të në Gramsh u vra nga një bashkëmoshatar një ditë më parë vetëm pak minuta pasi kishte mbaruar mësimin. Fatjon Bici u qëllua me thikë në zemër, ndërsa u fut për të ndarë bashkëmoshatarët e tij që ishin përfshirë në një sherr që kishte nisur në rrjetet social.
Shkolla 9-Vjecare ‘Asllan Shahini’ ka shprehur ngushëllimet familjarëve për humbjen e jetës së 17-vjeçarit. Në reagim thuhet se janë të tronditur për ndarjen nga jeta të nxënësit të tyre, ndërsa shpjegojnë edhe dinamikën e ngjarjes.
Shkolla 9-vjeçare thotë se Fatjoni u ndodh rastësisht aty dhe se u përpoq që të ndante bashkëmoshatarët që po konfliktoheshin. Ai nuk ishte pjesë e sherrit që kishte nisur para disa kohësh në rrjete sociale, por ishte kushëriri i tij.
“Jemi thellësisht të tronditur, nga ngjarja e rendë që ndodhi sot në qytetin tonë, në të cilën humbi jetën Fationi, nxënës në klasën e IX. Fationi mbaroi mësimin, si çdo ditë tjetër, u interesua duke pyetur rojën e shkollës, se a ishte larguar nga shkolla motra e tij më e vogël, nxënëse në klasën e IV, e pasi u sigurua se ajo ishte larguar, u nis për në shtëpi.
Në mes të lagjes, në mes të ditës, moshatarë të tij, nxënës edhe këta nga shkolla e fshatit Drize, konfliktuohen për biseda banale në rrjetet sociale dhe konflikti kthehet në tragjedi… Fationi u ndodh rastësisht aty, duke mos qenë ai pjesë e konfliktit në rrjetet sociale, por një i afërmi i tij. Ai u përpoq t’i ndante në grindje e sipër, por përfundoi viktima e këtij sherri banal. Fationi u nis sot drejt Parajsës… Do na mungosh të gjithëve, Fation i dashur! Të qoftë dheu i lehte, o engjëll”, shkruhet në reagim.