Vrasja e 8-vjeçarit në Fier, Presidenti Meta: Krimi ka autor, por edhe bashkëpërgjegjës…  

Vrasja makabre e një të mituri vetëm 8 vjeç një ditë më parë në fshatin Grecalli të Fierit, ka ngjallur reagimin e të gjithë opinionit publik dhe të personaliteteve të vendit.

Edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar pas vrasjes tragjike të 8-vjeçarit në Grecalli të Fierit, nga komshiu i quajtur Klodian Çalamëni.

Kreu i shtetit, shkruan në rrjete sociale, se ngjarja e djeshme, duhet të shërbejë si një thirrje alarmuese për institucionet shtetërore dhe është një tregues i mosfunksionimit të zinxhirit të sistemit.

Meta shkruan se ngjarja ka autor, por edhe bashkëpërgjegjës që nuk kanë përmbushur detyrimet shtetërore. Ai kërkon që të merren nisma konkrete për të forcuar hetimin dhe parandalimin e ngjarjeve të tilla.

Postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta në Facebook:

“Vrasja e të miturit ditën e djeshme në qytetin e Fierit, nga një person me precedentë penalë, është thirrje alarmuese për institucionet shtetërore dhe tregues i mosfunksionimit të zinxhirit të sistemit, nga vënia e drejtësisë, deri te ndëshkimi e më pas rehabilitimi.

Krimi makabër i djeshëm, që i mori jetën një fëmije të pafajshëm, ka autor, por ka dhe bashkëpërgjegjës, që nuk kanë përmbushur detyrimet shtetërore, duke krijuar terrenin për këtë vepër penale.

Nuk mjafton, që përfaqësuesit e institucioneve të dalin me shprehje tronditëse për ngjarjen dhe ta dënojnë atë.

Duhen ndërmarrë nisma konkrete për të forcuar hetimin, parandalimin e veprave të tilla nga individë, që dukshëm kanë premisat për të qenë recidivistë dhe për t`u përfshirë në krim, dhe për të cilët sistemi rehabilitues penitenciar dhe i post vuajtjes së dënimit, nuk ka funksionuar.

Nuk kam fjalë për të ngushëlluar familjen e të voglit Mateo.

Zoti dhe drejtësia ua lehtësoftë dhembjen!”

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *