Këtë të premte mësohet se janë vënë në pranga tre nga personat që janë të akuzuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në lokalin e tij në Lezhë.
Arrestimi i tyre është bërë në Angli. Mes të ndaluarve janë Edmond Haxhia që dyshohet dhe si porositësi kryesor i kësaj vrasje, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan.
Gjykata e ekstradimeve në Londër ka konfirmuar se ata do të dalin mesditën e sotme përpara kësaj gjykate për të vlerësuar masën e sigurisë.
Pasditen e djeshme një gjykatës i gatshëm në Londër i vlerësoi të ligjshme konform legjislacionit anglez urdhër-arrestet e lëshuara disa ditë më parë nga gjykata e Lezhës.
Mësohet se operacioni për kapjen e tyre është koordinuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë Metropolitane angleze dhe agjencinë kundër krimit të organizuar, e njohur si FBI-ja angleze, NCA.
Në këtë seancë një prokuror anglez, i cili do të përfaqësojë shtetin shqiptar, do t’i lexojë gjykatës kërkesën e Shtetit Shqiptar se përse kërkohen këta persona.
Ndërkohë kujtojmë se Edmond Haxhia është djali i dajës së Elton Lekstakajt. Fisi Lekstakajt kishte një konflikt me Nikulajn që prej vitit 1997.
Emrat e personave të përfshirë në krim sipas policisë janë: Edmond Haxhia, Thomas Mithan, Steven Hunt, të cilët janë vënë në pranga dhe janë në kërkim Ruben Saraiva (shtetas portugez, vrasesi), Harry Simson, dhe Harriet Bridgeman.