Vrasja e biznesmenit Behar Sofia, i dyshuari në lot para gjyjkatës: S’kam lidhje me asnjë vrasje

Bujar Leza, 45-vjeçari i dyshuar si ‘menaxher’ i vrasësve me pagesë dhe si bashkëpunëtor në ekzekutimin e biznesmenit Behar Sofia në shkurt të këtij viti, do të vijojë të qëndrojë në masën “arrest në burg pa afat”, për këtë ngjarje. Bëhet me dije se 45-vjeçari ka mohuar akuzat para gjykatësve, teksa mes lotësh ka thënë se nuk ka lidhje me vrasjen e biznesmenit e as me të tjera ngjarje të tilla.

“Nuk kam lidhje me vrasjen e Behar Sofisë dhe as me vrasje të tjera. Për pak ditë do të fitoja lirinë”, ka deklaruar ai.

Megjithatë Gjykata pranoi kërkesën e SPAK, duke e lënë Lezën në qeli.

45-vjeçari aktualisht ndodhet në burg, i arrestua 3 muaj më parë për dhunë në familje, pasi ka rrahur bashkëshorten. Dyshohet se ai ishte koordinator mes porositësve dhe vrasësve me pagesë, ndërsa nga hetimet rezulton se ai ka qenë personi që ka gjetur armën dhe biçikletën që u përdorën për vrasjen e 66-vjeçarit Sofia.

Bujar Leza akuzohet për “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Ai është personi i 4 i arrestuar për vrasjen e Sofisë.

Më herët janë arrestuar edhe 3 të tjerë të cilët bashkëpunuan me autorin e vrasjes me pagesë të Ernejt Shyti, i cili pohoi se u premtuan 50 mijë euro për egzekutimin e biznesmenit. 3 bashkëpunëtorët e tij Xhuljano Visha, 28 vjeç, Leonard Xhixha 30 vjeç, i akuzuar më parë për vrasje në tentativë dhe Skënder Vathi, 54 vjeç, janë aktualisht në burg së bashku me Ernejt Shytin, i cili u arrestua në Malin e Zi.

66 vjeçari Behar Sofia, i njohur si “padron droge”, u ekzekutua mëngjesin 25 shkurtit afër Piramidës në Tiranë, ndërsa vrasësi u largua me biçikletë. Autori pasi e ka ndjekur disa metra pranë shtëpisë së tij, i ka dalë para 66 vjeçarit dhe e ka qëlluar. I veshur sportiv, me kapele, syze e maskë anti-COVID pasi ka bërë atentatin ai është larguar dhe ka kaluar në këmbë urën e Lanës. Më pas ai ka marrë një biçikletë pranë kullave dhe është larguar drejt Kodrave të Liqenit.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *