Gjykata e Apelit të Tiranës ka prishur vendimin e Gjykatë së Shkallës së Parë dhe ka vendosur të kthejë për rigjykim dosjen ndaj dy të pandehurve të dyshuar për vrasjen e biznesmenit Memli Begalla në vitin 2018 në zonën e ish-Bllokut.
Denis Demiri ishte dënuar nga Shkalla e Parë me 25 vite burg për vrasje me paramendim, ndërkohë që për Ardian Serezin, të pandehurin tjetër, dosja ishte kthyer në prokurori, pasi sipas gjykatës nuk ishin siguruar prova për ta implikuar një krimin e rëndë dhe nëse të ardhmen prokuroria do të siguronte prova mund edhe t’i drejtohej gjykatës për ta marrë të pandehur.
Të dy të pandehurit Demiri dhe Serezi iu drejtuan Apelit. Demiri kërkonte shpalljen e tij të pafajshëm, ndërsa Serezi kërkonte pushimin total të çështjes duke arsyetuar se nuk kishte asnjë kusht apo kriter që dosja të rikthehej në prokurori. Por ndryshe nga sa prisnin dy të pandehurit, të cilët bënë një përballje të gjatë në Shkallën e Parë, Apeli vendosi ta kthejë dosjen për rigjykim, me argumentin se Shkalla e Parë ka kryer shkelje të rënda procedurale në rastin e të pandehurit Denis Demiri pasi ka gabuar në mënyrën se si janë njoftuar avokatët, ose janë prezantuar avokatët kryesisht.
Ngjarja:
Biznesmeni Memli Begalla u vra me një plumb në kokë në 2018, në parkingun e pallatit ku po jetonte nër rrugën ‘Nikolla Tupe’. Nga pamjet shiheshin se si dy persona ndiqnin viktimën nga pas dhe më pas njëri prej tyre e qëlloi me silenciator. Fill pas krimit, autorët u larguan me një BMW të zezë.
Policia u vu në lëvizje vetëm pasi banorët e pallatit në ish-bllok e panë të shtrirë në rrugë 64-vjeçarin.
Shkak për këtë ngjarje dyshohet të jenë konfliktet për shkak të borxheve të shumta. Afrim Begalla, i cili ka ndërruar emrin në Memli Begalla rezulton që t’u ketë shumë personave borxh në shuma të mëdha eurosh dhe lekësh, madje me disa prej tyre ishte ende në procese gjyqësore. Ky mund të cilësohet edhe si krim i paralajmëruar pasi rreth 3 vite me parë Begallës, po të njëjtin vend ku u ekzekutua, iu dogj qëllimisht automjeti ‘Land Rover’ që kishte në përdorim. Sipas specialisteve të krimit ekonomik viktima kishte nën administrim disa biznese. Ishte administrator i kompanisë “LAB”, i 2 dyqaneve që tregtojnë goma, një në autostradë dhe një në Yzberisht.
/Priza.al/