Është arrestuar në Kosovë një nga autorët e dyshuar të vrasjes së Briken Sanajt tek “Kodra e Diellit” në Tiranë. Gjelosh Krasniqi u vendos në pranga mbërmjen e së martës në një fshat të Pejës. Gjithashtu është arrestuar edhe personi që e strehoi.
49-vjeçari, i lindur dhe banues në Pejë, ishte në kërkim ndërkombëtar për llogari të drejtësisë shqiptare si i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
“Mbrëmë nga puna operative është arritur të arrestohet një person (me urdhër arrest ndërkombëtar) i cili dyshohet se ka qenë i përshirë vitin e kaluar për një vrasje në Shqipëri. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari Gj.K., është ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda afatit ligjor ndaj tij do parashtrohet edhe kërkesa për caktimin e paraburgimit. Për procedurat e mëtutjeshme rreth këtij rasti ju lutem i drejtoheni Ministrisë së Drejtësisë”, tha zëdhënës i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.
Më pas shtoi: “Po ashtu është arrestuar edhe personi i cili e ka ndihmuar që të strehohet në një fshat të Pejës. I njëjti është ndaluar për 48 orë.”
Vrasja e Briken Sanajt
Autor i ngjarjes është shtetasi Vladimir (Valmir) Kola, banues në Shëngjin, ndërsa bashkëpunëtorë të tij janë dy shtetasit nga Peja, përkatësisht Gjelosh Krasniqi dhe Kened Antoni.
“Për autorin e dyshuar dhe 2 shtetasit e tjerë, bazuar në provat e siguruara nga strukturat hetimore të DVP Tiranë, të Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Prokurorisë së rrethit Tiranë, Gjykata ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë. Po bashkëpunohet ngushtësisht me policitë homologe, të Kosovës dhe të Malit të Zi, për lokalizimin dhe kapjen e tyre” – u tha në njoftimin e policisë.
Si u përgatit atentati
Policia e Tiranës sqaroi 1 muaj pas krimit se shtetasi nga Peja, Kened Antoni, i ka shitur automjetin Gjelosh Krasniqit. Më pas, automjeti ka hyrë në territorin e Shqipërisë.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera në funksion të procedimit penal të vitit 2022, ka rezultuar se shtetasi kosovar Kened Antoni i ka shitur automjetin shtetasit tjetër kosovar Gjelosh Krasniqi, më datë 24.10.2022, dhe po në këtë datë, këta shtetas e kanë futur këtë automjet në territorin e Shqipërisë dhe ia kanë vënë atë në dispozicion shtetasit Vladimir (Valmir) Kola, i cili e ka përdorur automjetin për realizimin e vrasjes së shtetasit Briken Sanaj. Pas ngjarjes, autori i dyshuar e ka djegur automjetin, në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, së bashku me armën e krimit”, njoftuan blutë e kryeqytetit.
Sana u ekzekutua me tre plumba kallashnikovi fare pranë banesës së tij në lagjen “Kodra e Diellit” në kryeqytet më 30 tetor. Autori e priti derisa ai po kthehej nga një gëzim familjar në qytetin e Lezhës.
Ai paraqitej në rezistencë me emrin e kushëririt të tij, i cili u martua po atë ditë. Briken Sanaj, që në vogëli njihej me emrin Skerdilajd, ishte kthyer nga Italia kohët e fundit.
Vëllai i viktimës, Antonio alias Renato Sanaj, plagosi 10 vite më parë Gentian Kolën, i cili prej asaj kohe mbeti invalid. Dy familjet në Lezhë u futën në gjak dhe tentativat për pajtim ishin të pasuksesshme.