Hetimet për vrasjen e çiftit Shpëtim dhe Teuta Pasho kanë marrë një tjetër kthesë. Referuar mediave italiane, në një nga valixhet ku ishin futur trupat e pajetë të ndarë në disa copash është gjetur ADN-ja e një mashkulli. Ky është rezultati i analizave të kryera nga Karabinierët e Romës në emër të Prokurorit Publik të Firences, por ende nuk është zbuluar se kujt i përkasin këto gjurmë.
Çifti Teuta dhe Shpëtim Pasho u gjetën të copëtuar në Itali në 4 valixhe, pesë vite pas zhdukjes. Që prej nëntorit të viti 2015, që përkon edhe me kohën kur doli nga burgu djali i tyre, nga ata nuk u mor vesh asnjë lajm. Ata u gjetën pranë burgut në Solliciano. Policia italiane vijon hetimet në zbardhjen e plotë të vrasjes makabre të çiftit shqiptar.
Tashmë e akuzuara për krimin është Elona Kalesha, që në kohën e zhdukjes së çiftit ka qenë e dashura e djalit të tyre, Taulanti, ndërsa tani ndodhet pas hekurave. Pavarësisht akuzave ajo nuk ka pranuar asgjë në lidhje me këtë krim, por Gjykata italiane e ka lënë në burg.