Vrasja e dyfishtë që tronditi ‘Astirin’ në Tiranë/ ILD nis të verifikojë lirimin nga burgu të Mihasit  

Ekzekutimi në 13 nëntor 2021, i Armando Dumanit dhe Erigers Mihasit, ka hapur fletët e një dosje penale në Gjirokastër, e cila flet mbi rrethanat e arrestimit dhe lirimit brenda 6 muajve të Mihasit.

Ndaj këtij të fundit deri ditën e ekzekutimit në Tiranë, qëndronte hapur një çështja penale, që bën fjalë për grabitjen me dhunë e plagosjen e rëndë, të dy prindërve të Elton Çiços, në Tepelenë.

Për këtë rast tashmë të vënë në dijeni dhe nga disa ankesa, Inspektoriati i Lartë Drejtësisë, ka nisur verifikimet shkresore për të mësuar, nëse ka pasur interpretim të gabuar të provave nga prokurori i çështjes, Emëror Kasaj, apo qoftë dhe nga ish-gjyqtari Pëllumb Vebiu, që ka urdhëruar në fund lirimin nga burgu të Erigers Mihasit.

Por me sa duket situata në këtë rast është më e rëndë se kaq, pasi avokati, Edison Hasanbashaj, që mbronte pozicionin ligjor të Mihasit, rezulton të jetë dhe avokati personal i prokurorit të çështjes, Emëror Kasaj.

Dokumentacioni që kemi mundur të sigurojmë, tregon qartë se një avokat si Edison Hasanbashaj, ka pasur si klient Erigers Mihasin, por edhe prokurorin Kasaj.

Kjo lidhje e ngushtë, krijon një konflikt të pastër të interesit në mbarëvajtjen e këtij procesi gjyqësor, pasi i njëjti avokat mbron interesat ligjorë të Mihasit kundër prokurorit, Emëror Kasaj.

Dhe po i njëjti avokat, mbron interesat ligjorë të prokurorit, Emëror Kasaj, në një çështje penale që flet për mashtrim dhe që aktualisht ndiqet nga prokuroria e Tiranës.

Prej vitit 2019, periudhë kur është arrestuar dhe Erigers Mihasi, prokurori Kasaj, ka kallëzuar në prokurorinë e Tiranës, shtetasin Maurizio Lombi, duke e akuzuar këtë të fundit për veprën penale të “Mashtrimit me shuma të mëdha”.

Çështja penale është regjistruar në Tiranë dhe dosja mban Nr.524, ndërsa mbrojtës ligjor i prokurorit kallëzues në këtë rast është pikërisht avokati, Edison Hasanbashaj. I cili sipas këtij dokumentacioni, ishte njëherësh dhe avokati mbrojtës i, Erigers Mihasit, për të cilin prokurori Kasaj, në muajin korrik 2019, kërkoi në gjykatë zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “Detyrim paraqitje pranë policisë gjyqësore”.

Për më tepër që në muajin Mars 2021, prokurori i Gjirokastrës Kasaj, depozitoi në gjykatë kërkesën për pushimin e hetimeve për tre akuza të rënda ndaj Erigers Mihasit.

Kërkesë kjo që nuk u pranua nga Gykata e Gjirokastrës,e cila urdhëroi kthimin e dosjes në prokurori me qëllim vijimin e hetimeve për një periudhë 3 mujore. Por tashmë pas vrasjes së Mihasit, hetimi ndaj tij do pushohet për shkak se nuk mund të kryhet veprime hetimore apo qoftë dhe të ngrihet akuzë penale, ndaj një personi që ka ndërruar jetë.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *