Vrasja e efektivit Saimir Hoxha/ Aldi Rama denoncoi forcat e rendit për dhunë gjatë arrestimit për kanabis

I riu Aldi Rama, i cili ekzekutoi oficerin e krimeve në Policinë e Lezhës Saimir Hoxha dhe më pas u vetëvra, kishte kallëzuar penalisht disa muaj më parë efektivët e Policisë për dhunë.

Sipas burimeve, kallëzimi është bërë në Prokurorinë e Lezhës në kohën kur i riu ishte në burg me pretendimin se ishte dhunuar e keqtrajtuar nga uniformat blu, kur u arrestua me lëndë narkotike dhe armë të ftohtë.

Menjëherë pas kallëzimit penal, organi i akuzës është vënë në lëvizje dhe pas verifikimeve ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Kryerja veprimesh arbitrare”.

Në lidhje me këtë çështje hetimet po drejtohen nga prokurori Françesk Ganaj dhe sipas burimeve janë marrë në pyetje efektivë dhe oficerë të Policisë, të cilët kishin bërë ndalimin e Aldi Ramës. Gjithashtu, më herët është bërë edhe ballafaqimi i të riut me tre efektivët e Policisë, të cilët pretendonte se e kishin dhunuar.

Por, Prokuroria nuk ka arritur të provojë ende pretendimet e 21-vjeçarit Aldi Rama, pasi ky i fundit fillimisht e kishte referuar rastin te punonjësit e burgjeve dhe pas 2 muajsh ka bërë kallëzimin penal dhe për këtë çështje nuk ka një raport mjekoligjor.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar praktika dhe veprimet e bërë nga punonjësit e burgjeve, pas referimit të rastit nga Aldi Rama. Kjo çështje penale i është bashkuar edhe hetimit për ekzekutimin e oficerit të Policisë Saimir Hoxha, por nuk ka rezultuar që 40-vjeçari të ketë qenë pjesë e grupit të policisë që kanë arrestuar 21-vjeçarin Aldi Rama në asnjërin nga dy rastet kur i është ndaluar.

Referuar kallëzimit penal të bërë nga i riu për dhunë policore, ka ngritur dyshime të forta se ka pasur mllef të madh me uniformat blu ndaj dhe mund ta ketë kryer krimin e rëndë.

VRASJA E OFICERIT

Oficeri i krimeve në Policinë e Lezhës, Saimir Hoxha, u ekzekutua nga Aldi Rama paraditen e 28 shtatorit. Tre efektivët e Policisë ishin kthyer pas një operacioni ku kishin asgjësuar një parcelë të vogël me kanabis në Ishull Lezhë, duke asgjësuar rreth 60 bimë.

Në kthim, oficeret e Policisë ndaluan për kontroll makinën në të cilën ndodhej Aldi Rama bashkë me dy shokë të tij, por sapo oficeri Saimir Hoxha i ka kërkuar mjetin e identifikimit Ramës ai e qëlloi me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas, kolegët e Hoxhës i janë kundërpërgjigjur me armë, por i riu arriti të largohet dhe pas rreth 5 orësh ndjekje nga forcat RENEA, i riu qëlloi veten me një plumb në kokë, duke gjetur vdekje mëngjesin e ditës nesërmes në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Policia bënte me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur nëntë gëzhoja plumbash, të cilat janë të armëve të efektivëve që ishin në vendin e ngjarjes, për të cilët Policia thoshte se kanë qëlluar në drejtim të automjetit të 21-vjeçarit që tentonte të arratisej nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, shokët e Aldi Ramës janë dorëzuar pa rezistencë, 21-vjeçari që ndodhej në pjesën e pasme të automjetit ka refuzuar, duke u deklaruar efektivëve se “unë nuk jam për t’u kontrolluar…”.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *