Vrasja e Everest Çakës në Elbasan/ Lirohen 25 të ndaluar. Policia ngre tre pista. Prokuroria: Viktima nuk u pyet nga autoritetet belge në Shqipëri  

Vrasja e mbrëmshme në Elbasan e cila tronditi jo vetëm atë qytet por edhe mbarë opinionin, është e mbushur me shumë turbullira dhe ende mbetet e pazbardhur.

Prokuroria e Elbasanit, bën të ditur se Everest Çaka, i cili mbeti i vrarë mbrëmë në Elbasan, nuk është marrë në pyetje nga autoritetet belge, gjatë kohës së kryerjes së veprimeve të tyre në Prokurorinë e Elbasanit.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, në bashkëpunim me autoritetet partnere, njofton se viktima e datës 11.05.2021, Everest (alias Ibrahim) Caka nuk është marrë në pyetje nga autoritetet belge gjatë kohës së kryerjes së veprimeve të tyre në Prokurorinë Elbasan”.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, 41-vjeçari është qëlluar me të paktën 12 plumba nga një distancë e afërt dhe pjesën më të madhe, e ka marrë në qafë dhe në bark. Deri tani janë shoqëruar në komisarit mbi 25 persona, por pasi janë marrë në pyetje, janë lënë të lirë.

Nisur nga mënyra si është kryer krimi, hetuesit kanë dyshime se autorët mund të jenë vrasës me pagesë.

Për të zbardhur dinamikën e vrasjes së 41-vjeçarit Everest Çaka u shoqëruan në komisarit 25 persona, të cilët u morën në pyetje përgjatë 21 orëve të fundit dhe mbrëmjen e të mërkurës janë lënë të lirë.

Nga dëshmitë dhe verifikimet e kryera, ka dyshime se autorët mund të jenë vrasës me pagesë dhe hetimet paraprakisht janë përqendruar në disa pista, ku më kryesoret mbeten ajo e vrasjes për shkak të përplasjes së grupeve kriminale për prishjen e pazareve të drogës, ajo e hakmarrjes, por nuk përjashtohet edhe ndonjë konflikt i ashpër që mund të ketë pasur viktima kohët e fundit.

Ngjarja

Një fakt mjaft i rëndësishëm është qarkullimi i një motori mjaft të fuqishëm me katër rrota, prodhim i fundit, mbi të cilin ndodheshin dy të rinj me trup muskuloz që mbanin skafandra. Qarkullimi i këtij motori me shpejtësi të madhe para dhe pas ekzekutimit të 41-vjeçarit ka tërhequr vëmendjen e banorëve të familjeve që jetojnë përgjatë “Rrugës Mbretërore”, ku në orën 20:10 të së martës u krye vrasja e 41-vjeçarit Everest Çaka, si dhe mbeti e plagosur bashkëshortja e tij, Silvana Çaka.

Njëkohësisht, nga dëshmitë e siguruara nga hetuesit e këtij krimi hidhen dyshime se autorët e vrasjes kanë pasur në disa kryqëzime informatorë për sigurimin e informacioneve të sakta të lëvizjeve të objektivit të përcaktuar për t’u ekzekutuar.

Ndërkaq, nga dëshmitë e shumta që përputhen janë ngritur dyshime se automjeti i gjendur i djegur në një fshat të Kavajës, pak orë pas vrasjes, nuk është ai në të cilin ndodheshin autorët e krimit.

Ky është rrengu i radhës i përdorur nga vrasësit e përfshirë në ekzekutimin e Everest Çakës, pas provokimit të aksidentit të bërë ndaj automjetit, ku ndodheshin çifti i bashkëshortëve Everest dhe Silvana Çaka.

Dëshmitë e siguruara janë vërtetuar edhe me pamjet filmike të siguruara nga prokuroria dhe pritet që të hedhin dritë për identifikimin e autorëve të ekzekutimit të Everest Çakës.

Dëshmia e gruas

E vetmja dëshmitare në atentatin ndaj e Everest Çakës ishte bashkëshortja e tij Silvana. Edhe pse mbeti e plagosur, ajo ka treguar përballë hetuesve mënyrën si ndodhi ngjarja, por pa mundur të identifikojë autorët për shkak të errësirës dhe fytyrës së mbuluar.

“Sapo makina jonë nisi lëvizjen, një mjet na goditi nga pas, kujtuam se ishte aksident. Pashë një burrë që u afrua tek xhami i shoferit dhe mbante në duar një armë. Ai qëlloi disa herë në drejtim të Everestit, në qafë dhe në gjoks. Një plumb më goditi në krah”,- tha ajo.

Silvana tregon se e plagosur mundi të dalë nga makina për t’i ardhur në ndihmë bashkëshortit të saj, që fatkeqësisht kishte ndërruar jetë.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore 41-vjeçari është qëlluar me të paktën 12 plumba nga një distancë e afërt dhe pjesën më të madhe e ka marrë në qafë dhe në bark.

Nga verifikimet, Çaka rezulton se është i afërm i Arjan Spahiut që mbeti i vrarë në Belgjikë një vit më parë. Ky i fundit kishte lidhje familjare me vëllezërit Indrit dhe Erjon Alibej, i pari mbeti i vrarë në dhjetor të 2018-tës, ndërsa Erjon Alibej është arrestuar si urdhërues i dy vrasjeve të ndodhura së fundmi në Elbasan.

Një tjetër pistë është ajo e vrasjes për hakmarrje, pasi viktima është dyshuar në 2010-tën për ekzekutimin e 52-vjeçarit Gëzim Alikajt në Elbasan.

Në atë kohë policia kishte dyshime se vrasja u krye për hakmarrje pasi vëllai i 52-vjeçarit kishte urdhëruar vrasjen e Alfons Çakës në Spanjë, vëllait të Everest Çakës.

Ky i fundit u dyshua edhe për masakrën e familjes Mahmuti, që në nëntor të viti 2011 në Elbasan u vranë me nga një plumb në kokë vëllezërit Emin e Xhelal Mahmuti dhe babai i tyre Pëllumb Mahmuti. Personi i vetëm që i shpëtoi atentatit ishte Zenel Mahmuti, që dyshohet se ishte shkaku i kësaj ngjarje të rëndë pasi ishte në kërkim nga policia për vrasjen e Alfons Çakës në Spanjë.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *