Pas përfundimit të hetimit të procedimit penal të nisur më 30 korrik 2020, Prokuroria e Elbasanit ka dërguar për gjykim dhëndrin e ish-kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdinit, 33-vjeçarin Sokol Sanxhaktari. Ndaj këtij të fundit rëndon akuza “vrasje me dashje” e kryer në bashkëpunim.
Po kështu Prokuroria ka dërguar për gjykim dhe 42-vjeçarin Adriano Hajdari për të njëjtën akuzë. Në gjyq kanë përfunduar dhe Amadeus Lamçja, 40 vjeç për “moskallëzim krimi”, “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “deklarim të rremë” si dhe Mehmet Muça, 33 vjeç për të njëjtat vepra penale.
Të katërt akuzohen për vrasjen e Florian Lamçes (Shabani). Ngjarja ndodhi më 30 korrik të vitit të kaluar, rreth orës 04:40 në një lokal të njohur në Elbasan.