Detaje të reja kanë dalë nga ngjarje e rëndë në Korçë, ku nëna ka lindur fëmijën dhe më pas e ka futur në valixhe, duke i shkaktuar vdekjen.
Burime për median bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në lagjen 15. Sakaq, po bëhet ekspertiza e fëmijës, si dhe dyshohet që nëna ka pasur probleme të shëndetit mendor. Bëhet me dije se ajo jetonte e vetme në banesë, ku edhe ka kryer lindjen e fëmijës së saj. Fëmija është gjetur nga bashkëshorti i saj, i cili ka qenë emigrant në Greqi.
Ai ka ndjerë erën e rëndë që vinte nga dollapi, ku dhe më pas ka konstatuar valixhen ku ishte trupi i pajetë i foshnjës.
Ky i fundit dyshohet të ketë mohuar atësinë e fëmijës, pasi sipas tij ai ndodhej prej më shumë se një viti në shtetin grek.
Fqinja e autores së dyshuar për ngjarjen e rëndë në Korçë, ka folur për mediat. E moshuara ka treguar se gruaja ishte e sëmurë dhe se nuk kishte qenë në dijeni të shtatzanisë së saj.
“Shumë e sëmurë është e e gjora, Në katin e dytë jeton. Nuk e di në ishte shtatzanë. Komunikojmë ne, por të vërtetën nuk e di. I shoqi rri në Greqi dhe erdhi. Vete e vjen dhe këtu ishte dje. Ashtu ka qënë ajo, edhe më përpara. Ka një djalë dhe s’e ka mirë atë djalë, e ka me të meta mendore. Nuk e di çfarë ka bërë. Pse të gënjej?! Se e vërtetë del më pas”, tha ajo.
Ka ende shumë pikëpyetje se kush ka ndihmuar në lindjen e foshnjës në banesë. Mësohet se çifti ka dhe një djalë më të rritur, i cili po ashtu vuan nga autizmi.
Fqinjët pohojnë se gruaja ka shfaqur vazhdimisht probleme të shëndetit mendor, ndërkohë që burri i saj ikte dhe vinte shpesh në shtetin grek.