Gjykata e Posaçme ka dënuar me burgim të përjetshëm, Ardjan Capja, Florenc Çapjan dhe Olsi Lekun për vrasjen e Gentian e Nezir Beqirit në vitin 2012.
Për bashkëpunëtorin e drejtësisë Ervis Bardhi, GJKKO ka caktuar 15 vite burg, nga 6 vite që kërkoi prokuroria. Gjithashtu GJKKO ka caktuat nga 25 vite burgim për Klajdi Dokoli dhe Etien Çani.
Ardian Çapja u arrestua mëngjesin e 29 marsit të vitit 2021, ndërsa vrasja në gusht të 2012, e Gentian dhe Nezir Beqirit, është një ndër dosjet penale më të rëndësishme që kanë në duar prokurorët e Elbasanit, e cila që prej muajit dhjetor 2020, u kthye nga gjykata e këtij qyteti, për plotësim hetimi. Ndërkohë Florenca Çapja është ende në kërkim pasi akuzohet si porositës i vrasjes së dy personave, babë e bir.
Si ndodhi vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit?
Ata u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga fisi i Çelajve. Vrasja e Gentian Beqirit, është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhet në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan, ku teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar është qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator dhe më pas mbytën edhe babanë e tij Nezir Beqiri. Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivat e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”. Të arrestuar për këtë ngjarje janë i penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Ervis Bardhi, Olsi Leku, Etjen Cani, Klajdi Dokoli.