Dy ditë më parë në Velipojë u vra ish-deputeti dhe ish-kreu i kësaj Komune Pashko Ujka. Pasi arrestoi një nga autorët e dyshuar 20-vjeçari Kristjan Klemendi, policia ka arritur të vej në pranga edhe një tjetër të dyshuar.
Duke iu referuar burimeve nga policia mësohet se ai është Marjan Kola, 53 vjeç. Ai është arrestuar në Morinë, teksa po tentonte të largohej nga vendi. Kola është arrestuar si person që është i përfshirë apo ka dijeni mbi vrasjen e ish-deputetit Pashko Ujka.
Ish-deputeti u vra mbrëmjen e së shtunës me armë me silenciator. Ai u qëlluar me armë zjarri në shpinë teksa ishte me bashkëshorten e tij pranë banesës dhe ndërroi jetë 2 orë më pas në spital. Ndaj tij janë bërë edhe 2 atentate të tjera më parë, të cilave i pati mbijetuar.
Pashk Ujka, gjatë legjislaturës 2005-2009, ishte deputet i PDK-së në parlamentin Shqiptar, madje ishte kryetar i këtij grupi parlamentar dhe pjesë e koalicionit me Partinë Demokratike.
Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2009, ai doli pjesë e partisë Demokristiane që drejtohej nga Nikollë Lesi. Në zgjedhjet lokale 2011, Ujka kandidoi po nën siglën e PDK-së i mbështetur nga PS-ja në koalicionin për të ardhmen. Ujka ka shërbyer edhe si kryetar i komunës së Velipojës në vitet 2011- 2015 nën siglën e PS.
/Priza.al/