Gati dy muaj pas vrasjes së Klaudio Prendit në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë, policia ka shoqëruar disa persona për t’i marrë në pyetje lidhur me hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Dyshohet se mes tyre mund të jenë autorët dhe porositësit, të cilët mund të kenë paguar për ekzekutimin.
Pista kryesore e hetimit mbetet një konflikt i fortë për borxhet nga llotot sportive, pasi Prendi ka pasur dy përplasje të tilla brenda vitit, me të fundit një muaj para vrasjes. Hetuesit kanë zbuluar se targa greke që është përdorur në makinën e autorëve është e vjedhur dhe autoritetet greke janë kontaktuar për të hetuar origjinën e saj, megjithatë nuk ka pasur ende një përgjigje.
Klaudio Prendi u ekzekutua me pistoletë me silenciator më 19 nëntor, sapo hyri në makinën e tij luksoze, pas daljes nga një lokal pak para mesnatës.