Arbër Paplekaj, ish-efektivi i RENEA-s i arrestuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit pak kohë më parë në Elbasan, do të mbetet në masën e sigurisë personale “arrest me burg”. Vendimi është marrë ditën e sotme nga Gjykata e Apelit, e cila ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Elbasanit.
Apeli ndërkohë ka liruar 10 të akuzuarit e tjerë për ngjarjen, duke i ndjekur penalisht në gjendje të lirë.
Gjatë seancës së Gjykatës së Apelit nuk ishte i pranishëm as avokati, as Arbër Paplekaj.
Kujtojmë se Pjerin Xhuvani, 56 vjeç, mbeti i vrarë pas një përplasje me armë ku u përfshinë disa persona. Në ngjarje mbetën të plagosur katër të tjerë: Eltjon Bodinaku 32 vjeç, Emiljan Prenga, 39 vjeç, Pavlo Vuksani 50 vjeç , një prej të cilëve punonjësja e policisë Xhensila Sota 27 vjeçe.
Rreth një orë pas përplasjes me armë në polici u dorëzua Arbër Paplekaj, ish-oficer i Repartit të Neutralizimit të Elementëve të Armatosur (RENEA)
Gjykata e Apelit po ndjek penalisht në gjendje të lirë shtetasit:
Arjan Hoxha, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Pavlo Vuksani, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Emiljan Prenga, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Juljan Mataj, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Erald Guga, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Erjon Demushi, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Taulant Ymeri, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Roland Xhepa, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Nuredin Kasma, akuzuar për heqje të lirisë me dhune
Eldjo Beko, arrestuar “në flagrancë”, akuzuar për pengim të hetimeve;
Kush ishte Pjerin Xhuvani
Vrasja e Xhuvanit u krye më 21 prill. Ai ka qenë kryetar i LSI-së në këtë qytet. Më pas, ai është arrestuar për korrupsion kur ishte drejtor në Drejtorinë Rajonale të Fondit të Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Në korrik, 2016, Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 3 vjet burg, që iu konvertua ne 2,5 vjet Shërbim Prove, si edhe heqje e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 3 vjet, pasi u fajësua për “mashtrim”, “shpërdorim të detyrës”, kryer në bashkëpunim” dhe “falsifikim të dokumenteve”.
Në vitin 2017, ai ishte pjesë e PDIU-së. Ditën e Verës, 2021, ai ishte një nga personat e akuzuar nga Partia Demokratike për përplasjen që ndodhi në këtë qytet mes militantëve të të dy kampeve. Ai u akuzua si militant i PS në atë kohë.