Vendimi për Arbër Paplekajn, i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, do të jepet me 12.07.2023 në orën 13:00 në gjykatën e Elbasanit. Prokuroria ka kërkuar 25 vite burg për Paplekajn. Gjatë seancës së sotme, fokusi ishte tek deklarimet e avokatëve, të cilët do të shprehin pretendimet e tyre përballë trupës.
Avokati mbrojtës i Paplekajt pretendon se nuk ka qëlluar i pari ndaj Xhuvanit. Avokati pretendon se nuk ka qenë Paplekaj që ka nisur konfliktin me Xhuvanin ndërsa ka kërkuar që të rishqyrtojë edhe njëherë pamjet filmike pasi pretendon se ka mospërputhshmëri dhe se nuk e tregojnë të plotë ngjarjen.
“Avokati Mirash Martinaj ka ngritur pretendimin se ditën kur ndodhi vrasja në Pjerin Xhuvanit nuk ka qenë Paplekaj ai i cili ka qëlluar i pari në vendin e ngjarjes por se nga pamjet filmike rezulton se në vendngjarje janë përdorur tre armë të ndryshme dhe se janë marrë në cilësinë e provës materiale janë marrë 20 gëzhoja armësh. Sipas pretendimeve të avokatit, 7 nga këto gëzhoja i përkasin armës së Paplekajt ndërsa të tjerat i përkasin dy armëve të tjera që janë shkrepur nga persona të tjerë.“
“Ka ngritur pikëpyetjen edhe me një çantë që sipas avokatit është marrë nga një person dhe se është larguar nga vndi i ngjarjes dhe çanta që ka pasur në dorë nuk është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Mendohet se në brendësi të çantës ndodheshin mjete identifikuese të banorëve të lagjes 5 maji të Elbasanit dhe testera partie dhe një shumë e konsiderueshme parash.”
Si ndodhi vrasja?
Pjerin Xhuvani u vra në Elbasan, pasi dyshohet se u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Nga ngjarja e 21 prillit, të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota (punonjëse e policisë).