Seanca gjyqësore në ngarkim të Arbër Paplekajt, i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në 21 prill 2021 në Elbasan ka zgjatur sot mbi 6 orë. Mes 9 dëshmitarëve të pyetur ishin e dy ish-nëndrejtorët e policisë së Elbasanit. Këta të fundit i pohuan trupit gjykues se ngjarja nuk zgjati më shumë se 8 sekonda ndërsa u zhvillua mes kaosit në një zonë shumë të populluar ç’ka e bëri të vështirë ndërhyrjen parandaluese.
Të pyetur nga avokatja e familjes Xhuvani nëse njihnin persona mes turmës, efektivë e policisë kanë mohuar, gjë e cila është arsyetuar nga avokatja Rezarta Tahiraj, si pjesëmarrje e personave që nuk ishin nga Elbasani, me shumë mundësi, pjesë e strukturës për mbrojtjen e votës në PD.
Lidhur me një dëshmitar i cili mund t’i shërbejë zbardhjes së çështjes Tahiraj u shpreh: “Personalisht jam e bindur se ai dëshmitar është shumë i çmueshëm për aktivitetin investigativ të Prokurorisë mbi këtë rast. Në seancë ai tha që dy personat ishin të armatosur me pistoletë. Dëshmitari nuk diti të tregojë markën dhe kalibrin e atyre pistoletave, sepse mendoj se nuk është një ekspert armësh, por që ata persona ishin në posedim të atyre armëve e tha në mënyrë të qartë.
Kjo specifikë është një veçori rënduese që shton urgjencën për nevojën e identifikimit për rrezikun që kanë treguar në atë rrethanë me posedimin e atyre pistoletave dhe me faktin se ndoshta i përkasin pikërisht ato armë dhe plumba të gjetur në vendin e vrasjes me një kalibër të ndryshëm nga pistoleta e vrasësit”.