Vrasja e recepsionistit në Dhërmi, arrestohen 2 punonjës të hotelit që ndihmuan autorin

Policia ka identifikuar dhe arrestuar 2 persona, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar autorin e vrasjes së recepsionistit të hotelit në Dhërmi, Eraldo Nevruzit, për të fshehur trupin e pajetë të tij.

Nga veprimet hetimore, autori i dyshuar Gerald Shehu, pasi e ka vrarë me armë zjarri Nevruzin është ndihmuar për të fshehur trupin nga 2 punonjës të hotelit të tij, 33-vjeçari me iniciale D.Q. dhe 30-vjeçari me iniciale D.L.,

Në banesën ku qëndronte autori i dyshuar i ngjarjes, Gerald Shehu, në një kasafortë në dhomën e gjumit, uniformat blu kanë gjetur 1 fishek arme zjarri me kapsollë të goditur që u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminim.

Ngjarja ka ndodhur rreth 30 minuta pas mesnatës të 6 Qershorit në ambientet e hotelit, konkretisht në dhomën ku akomodohet stafi. Uniformat blu kanë dyshime se në fillim mes viktimës dhe autorit ka patur një përplasje verbale që më pas ka degraduar deri në përdorimin e armës.Pasi e ka qëlluar, dyshohet se autori, i cili është bashkëpronar i hotelit, e ka larguar 31-vjeçarin me një automjet ngjyrë të bardhë me targa angleze. Dyshohet se ai e ka fshehur trupin e tij dhe me pas është larguar në rrugë tokësore drejt Greqisë, ku dhe u vu në pranga vetëm pak orë pasi tentoi të largohej.

Gjithashtu janë kontrolluar edhe kanale apo zonat ku kalon makina, Gjipe, Vuno, Ilias, edhe nga deti me Policinë Kufitare, e cila bashkëpunon me Drejtorinë e Policisë së Vlorës. Edhe këtë mëngjes kanë nisur sërish kërkimet për gjetjen e trupit, por deri tani pa rezultat. Policia po kontrollon edhe me dronë territorin ku mund të jetë hedhur trupi i pajetë i Eraldo Nevruzit.

Në funksion të hetimeve të thelluara u fiksuan dhe u morën për ekzaminime të mëtejshme, sende dhe mjete të tjera të cilat dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje. Hetimet vijojnë në drejtimin e Prokurorisë.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për Gerald Shehun, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe për shtetasit D. Q. dhe D. L., për veprën penale “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *