Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me vrasjen e 33-vjeçarit Alfons Kolës në Itali, ku dëshmitarët kanë rrëfyer të dhëna tronditëse.
Alfonso Kola, 33-vjeç, mbeti fillimisht i plagosur pasditen e së mërkurës dhe ndërroi jetë në spital gjatë natës.
Pronari i lokalit ku ai ishte klient, rrëfeu për policinë gjithë dinamikën e ngjarjes. 33-vjeçari sapo kishte dalë nga dera e lokalit, për t’u takuar me dikë. Disa klientë i kanë parë fillimisht të bisedonin. Më tej shqiptari është larguar, ndërsa personi që takoi më herët e ndiqte nga pas. Shqiptari ka tentuar që të fshihej pas një makine, pasi ishte plagosur.
“Fonsi, siç e njihnim të gjithë, sapo kishte dalë nga dera e lokalit tim për t’u takuar me një burrë që askush nuk e kishte parë më parë. Disa klientë i panë fillimisht të bisedonin e më pas të diskutonin. Fonsi ia mbathi drejt sheshit Europa, ndërkohë që tjetri e ndiqte. Nga pamjet e sigurisë, (që tani janë në duart e karabinierëve) shihet duke u përpjekur që të fshihet pas një makine, ndoshta sepse ishte i plagosur”, rrëfen pronari i lokalit.
Këto janë dhe lëvizjet e fundit të Alfons Kolës, 33-vjeçari i cili ndërroi jetë në spitalin e Brescia-s, gjatë orëve të natës për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë, nga bashkatdhetari Petrit Gega, 52-vjeç.
“Unë isha brenda në lokal dhe nuk e pashë drejtpërdrejt skenën. Disa klientë u futën me shpejtësi brenda nga paniku duke më thënë që të merrja në telefon emergjencën për shkak se Fonsi ishte në tokë i gjakosur”, tregon pronari i lokalit.
“Dhe kështu veprova, pastaj dola. Rreth tij ishin mbledhur disa persona që po përpiqeshin ta ndihmonin. Ambulanca erdhi rreth 20 minuta më pas. Telefonuam dy herë duke parë se situata ishte e rëndë. Na thanë se po vinin dhe na këshilluan që të përpiqeshim t’i izolonim plagët në mënyrë që të parandalonim gjakderdhjen dhe kështu bëmë, me aq sa mundëm. Më pas erdhën shërbimet e emergjencës që e transportuan me helikopter në spital”, rrëfen ai më tej.
Viktima, sikurse autori i dyshuar janë të dy fshati Kallmet i Lezhës. Familjet e tyre mësohet se janë fqinjë dhe kanë pasur marrëdhënie të mira mes tyre.