Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar zgjatjen e masës së paraburgimit ndaj Dibran Hoxhën dhe pesë të pandehurve të tjerë, të cilët akuzohen për vrasjen e të riut nga Kukësi, Visar Cengu.
Prokuroria ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Dibran Hoxha, i cili dyshohet të ketë kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Manipulim me prova”.
Po ashtu, vazhdimi i paraburgimit është kërkuar edhe për pesë të dyshuarit e tjerë Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrllahi, të dyshuar për veprat penale “Manipulim me prova” dhe “Pjesëmarrja në rrahje”.
“Më dt 03.01.2023, rreth orës 04:00, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren- Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën V.C, duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit R.Sh, të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.B, që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë, në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kishin pas rreth pagimit të faturës në lokal, fillon përleshja në mes punëtorëve në lokalin “Kobra City”, me të dëmtuarit ku pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën “Mercedes” FA 19-PFX, me targa angleze, për tu larguar në parkingun e lokalit, paraqitet i dyshuari Dibran Hoxha, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin V.C, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e përparme, dhe si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C ndërron jetë rrugës për në spitalin e Kukësit, derisa R.Sh nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.