Stiven Toshkësi u qëllua për vdekje me thikë në Rrugën ‘4 Dëshmorët’ në kryeqytet, pranë gjimnazit “Partizani”, nga shtetasit Aksel Hoxhaj dhe Ensi Maze.
Shkak i ngjarjes së rëndë ka qenë konflikti për një vajzë. Goditja që 20-vjeçari mori nga Hoxhaj, rezultoi fatale dhe ai humbi jetën në spital.
Gazetarja Anila Hoxha është shprehur se Stiven ishte kërcënuar edhe më herët, por nuk kishte denoncuar. Arbër Murati i cili ndodhet në kërkim, ishte konfliktuar me Toshkëzin dhe e kishte kërcënuar me thikë, 2 javë para vrasjes së tij. Sipas Hoxhës, në dëshminë që dha e dashura Stivit në polici, rrëfen se ai i kishte treguar shenjat e thikës në trup, kur Arbëri e kishte sulmuar, por kishte zgjedhur që të mos e denonconte.
Blendi Salaj: “E kam të dëgjuar, por dua të ma konfirmosh nëse ke informacione për këtë, që edhe ne rastin e fundit që ndodhi, e Stivit, ka pasur një sulm para pak kohësh dhe ai nuk kishte denoncuar.”
Anila Hoxha: “Jo vetëm që ka patur një sulm, por e dashura e Stivit, është pyetur nga policia e Tiranës dhe nga prokurori i çështjes edhe ajo ka dhënë detaje shumë interesante dhe e kanë ndihmuar hetimin. Ajo pranon dhe thotë që ata në një rast të caktuar njëri nga të kërkuarit me të cilin ishte konflikti, pra ishte shtresëzuar konflikti dhe ishte aty, priste konflikti derisa të shpërthente. Ishte kërcënuar me thikë dhe ajo thotë që më tregoi Stivi që u sulmua me thikë prej Arbër Muratit dhe madje thotë që unë pashë shenjat e thikës kur ishte sulmuar në trupin e tij. Por ai kishte zgjedhur që të mos shkonte pranë autoriteteve.”/TCH