Kur policët hynë në shtëpinë e Caroline Crouch në Greqi, ata panë 20-vjeçaren të shtrirë, të lidhur dhe të vdekur, ndërsa vajza e saj 11-muajshe qante me të madhe dhe përplaste duart duke u përpjekur të zgjonte nënën e saj. Oficerët e ekipeve speciale kanë bërë ‘listën e kuqe’ me 100 të dyshuar, të gjithë grabitës mizorë, kriminelë emigrantë por edhe me kombësi greke të cilët janë liruar nga burgu.
Rezultatet e laboratorëve të kriminalistikës greke
Këto rezultate do të përdoren për të përfituar nga gabimet e mundshme që mund të kenë bërë grabitësit gjatë një ore që ndodheshin brenda shtëpisë në rrugën ‘Panagouli’. Edhe rrobat e veshura nga viktima dhe bashkëshorti i saj janë dërguar për ekspertizë, dhe pritet të dalin informacione më të detajuara.
Imazhet e para të tmerrit
Përshkrimet e policisë në lidhje me atë që panë në atë shtëpi janë të tmerrshme. Sapo hynë në shtëpi, ata panë trupin e 20-vjeçares, e cila ishte e zbehur e gjitha. Kur e panë ashtu të bardhë, policët e kuptuan se ajo kishte ndërruar jetë. Foshnja ishte sipër saj dhe e godiste vazhdimisht duke u munduar që ta zgjonte. Burrin e kishin lidhur, i kishin mbyllur gojën dhe sytë. Në disa momente ai vuajti nga hipoksemia dhe humbi përkohësisht vetëdijen dhe disa gjëra nuk i mbante mend.
Pse u vra ajo?
Një nga pyetjet që policia po përpiqet t’i japë përgjigje është: Pse grabitësit, pasi neutralizuan pilotin 32-vjeçar duke e lidhur dhe pasi ai nuk bëri asnjë rezistencë, e vranë gjithsesi gruan e tij 20-vjeçare? Pse grabitësit treguan mungesë të plotë emocionesh? Tmerri i kësaj ngjarjeje konsiston së pari në rrethanat e vrasjes dhe së dyti në mekanizmin e vdekjes.
Pse grabitësit e mbytën atë me duar kur kishin armë me vete? Në momentin që e mbysnin, kishte një kontakt më të zgjatur fizik, dhe autorët e krimit kishin mundësinë të tërhiqeshin. Por ata nuk e bënë këtë dhe e çuan deri në fund. Dhe kjo tregon qartë qëllimin e tyre për ta vrarë. Në grabitje, gjëja më e rëndësishme janë paratë.
Vrasja është e panevojshme për përmbushjen e këtij qëllimi. Atëherë, përse ata thjesht nuk morën paratë që piloti ua tregoi ku ishin, por kryen një vrasje? Vrasje kjo që do t’i lërë ata pas hekurave për shumë vite…
Policia mendon se grabitësit mund të kishin qenë nën efektin e drogës, dhe kështu nuk kanë mundur dot të kontrollojnë reagimet e tyre, ndërsa besohet se pasi piloti kishte humbur ndjenjat, grabitësit të kenë menduar se ai kishte vdekur.
/Përshtati:Priza.al/Burimi:Protothema