Është zhvilluar prej disa orësh seanca gjyqësore për Sokol Mjacajn dhe 12 zyrtarët e tjerë, të arrestuar pas vrasjes së Arben Lleshit brenda burgut të sigurisë së Lartë në Peqin.
Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Sokol Mjacajn i cili vrau me armë zjarri Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjan në ambientet e burgut të Peqinit në 15 dhjetor.
Kujtojmë se në dëshminë e dhënë më parë përpara hetuesve, Mjacaj ka deklaruar se vrasjen e kreu pas një sherri banal me Arben Lleshin dhe pasi mësoi nga të burgosurit e tjerë se do të izolohej në qelitë e 41-bisit, shkoi për të vrarë në qelinë ku ai qëndronte. Ai ka mbajtur të njëjtin qëndrim duke thënë se vrasja ka ndodhur pas një sherri që ka pasur me viktimën.
Hetuesit kanë dyshime se Mjacaj është porositur nga persona të tjerë për vrasjen e Lleshit dhe për këtë kanë kryer edhe kontrolle në banesën e Mjacajt në Dukagjin, por edhe të vëllait të tij.