Atentati që i mori jetën një personi dhe la të plagosur 4 të tjerë tre ditë më parë në rrugën “Don bosko” në Tiranë, ka mbetur ende pa autor, edhe pse si të dyshuar janë disa persona.
Policia ka sekuestruar mbi 100 kamera sigurie nga zona e Don Boskos, ku u vra me armë zjarri Erion (Adriatik) Çela dhe u plagosën katër persona të tjerë.
Kamerat e sigurisë janë sekuestruar dhe po këqyren nga policia, me qëllim zbardhjen e itinerarit nga ka lëvizur makina e autorëve para dhe pas krimit, që tronditi kryeqytetin.
Gjithashtu po kontrollohen edhe serviset dhe varrezat e makinave, pasi ka dyshime që makina e krimit të jetë çuar për pjesë këmbimi.
Policia ka ushtruar kontrolle gjithashtu edhe në banesën e të plagosurit Edmond Crroj, që është daja i viktimës, si dhe i ka sekuestruar atij telefonat, për shkak të problemeve që ai ka pasur në Itali.
Që në momentet e para pas ngjarjes në “Don Bosko”, grupi hetimor ka nisur verifikimet për Edmond Crrojn, i cili u përcaktua si shënjestër e atentatit mbrëmjen e të martës.
Për këtë ka pasur kontrolle në banesën e tij, por edhe të viktimës Erion Çela, që ndodhet në Maminas, si dhe të paktën në dy biznese të tij shumë pranë vendit të ngjarjes, një “tabakino” dhe një qendër estetike.
Deri tani, pavarësisht se kontrollet kanë nisur menjëherë për gjetjen e ndonjë sendi të kundraligjshëm, nuk ka të dhëna për diçka që mund të ndihmonte hetuesit apo të ngrinte ndonjë akuzë.
Ndërkohë, policia po heton rreth aktivitetit me të cilin është marrë Edmond Crroj kohët e fundit, duke qenë se më herët është proceduar në dy shtete të Bashkimit Europian, dhe njëra nga akuzat ka qenë ajo e përfshirjes në trafikun e drogës.
Hetuesit kanë dyshime se atentati me bilanc tragjik, të ketë ardhur pikërisht nga ndonjë konflikt i pazgjidhur i Crrojt.
/Priza.al/