Vrasja e nënës britanikë 20-vjeçare në Glyka Nera, mbas një muaji nuk është zgjidhur ende nga policia, e cila çdo ditë rend mbas kapjes së autorëve. Por pavarësisht gjithë hijeve të kësaj tragjedie dhe fakteve akoma të pazgjidhur, efektivët kanë nisur një kërkim të kriminelëve në Shqipëri, Bullgari dhe Rumani. Për këtë arsye policia greke ka kontaktuar ambasadat e vendeve specifike, në mënyrë që të lehtësojë procedurat, të anashkalojë burokracinë dhe të kontrollojë menjëherë të dyshuarit. Mendohet se ata janë persona të cilët kanë jetuar me vite në Greqi.
Kujtojmë se fillimisht u arrestua një shtetas gjeorgjian dhe më tej u krijua identikiti i një të dyshuari i cili mendohet se është shqiptar, biond me trup të mbushur cili urren gratë. Në fakt oficerët grek, edhe pse ende pa prova të mjaftueshme, prej disa kohësh këmbëngulin se shqiptarët janë pjesë e këtij krimi brutal. Ndërkaq, autorët e dyshuar të cilët kishin hyrë në mikroskopin e autoriteteve, thuhet se nuk mund të identifikohen me tre grabitësit, pasi deri më tani nuk janë gjetur prova për të vërtetuar hyrjen e tyre në shtëpinë në rrugën Panagouli. Shenjat e gishtërinjve, ADN-ja nuk çuan askund. Pa marrë parasysh se video e cila u mor në ekzaminim, ku shihej automjeti që ata përdorën nuk është gjetur. Kjo çon në përfundimin se ata mund të jenë larguar në këmbë dhe jo me automjetin që kishin lënë disa blloqe më larg në mënyrë që të shmangnin kamerat në zonë. Në fakt të gjitha pamjet filmike të siguruara nga policia, kanë treguar makina të ndryshme të cilat kanë qarkulluar në atë zonë, por shumica e tyre u identifikua dhe doli se pronarët nuk kishin asnjë lidhje me çështjen.
Sipas zhvillimeve të fundit, analistët e vrasjeve spekulojnë se autorët janë larguar nga Greqia drejt disa vendeve të Ballkanit. Shqipëria, Bullgaria dhe Rumania konsiderohen si tre vendet e mundshme dhe ka filluar një proces i shpejtë për identifikimin e të dyshuarve.
Grabitësit duken se janë zhdukur pa lënë gjurmë, ata nuk kanë lënë shenja të ADN-së. E vetmja provë e ADN-së e cila u gjend, ishte në shiritin izolues dhe i përkiste pilotit Anagnostopoulos. Ky i fundit deklaroi se ua dha autorëve nën kërcënimin e një arme pasi ata nuk kishin me vete. Më tej kriminelët i lidhën me një litar, duart dhe këmbët në pozicion embrional, si dhe i kanë mbuluar qafën, hundën dhe sytë me ngjitëse. Mënyra se si piloti u zgjidh nga litarët për policinë mbetet akoma një mister.
Një delegacion i EL.AS, sipas asaj që raportojnë mediat, është takuar me ambasadorin shqiptar në Greqi mënyrë që të “hapet një kanal informacioni dhe identifikimi i menjëhershëm dhe për të mos humbur kohë të vlefshme.” E njëjta gjë pritet të ndodhë në 24 orët e ardhshme me ambasadorët e Rumanisë dhe Bullgarisë.
/Burimi: protothema.gr/ përshtati në shqip Priza.al/