Mediat në Kosovë kanë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë që ndodhi në orët e para të mëngjesit në një lokal nate në Prizren. I arrestuar është vetë pronari Dibran Hoxhaj, i cili dyshohet se ka shtënë në drejtim të dy të rinjve nga Kukësi, njëri prej të cilëve humbi jetën e tjetri mbeti i plagosur.
Visart Cengu ndërroi jetë gjatë rrugës për në spitalin e Kukësit ndërsa shoku i tij, Rufgen Shehu ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mediat në Kosovë raportojnë se motiv i këtij konflikti dyshohet të ketë qenë fatura prej 400 eurove që stafi i lokalit kishte lëshuar për dy të rinjtë.
Sipas informacioneve, sherri nisi pasi të rinjtë nuk pranuan të paguanin këtë shumë të të hollave. Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se ata fillimisht patën një debat me stafin dhe klientët e tjerë ndërsa nisën të gjuajnë me shishe e të thyejnë tavolinat duke shkaktuar tension.
Në momentin që kanë dalë nga lokali, pronari Dibran Hoxhaj ka qëlluar me armë zjarri duke lënë të vdekur Visart Cengun dhe duke plagosur shokun e tij. Përveç Hoxhajt, policia ka nisur intervistimin e disa personave të tjerë nën dyshimin se mund të jenë të përfshirë në rast.