Mediat në Kosovë i kanë kushtuar vëmendje ngjarjes së rëndë të ndodhur më 3 janar që tronditi Prizrenin, pasi pronari i lokalit “Kobra City” qëlloi me armë ndaj tre të rinjve nga Kukësi, ku njëri prej tyre mbeti i vrarë.
Në “KTV” janë publikuar disa detaje të reja për vrasjen që kishte të bënte me një fature prej 350 euro që tre të rinjtë duhet të paguanin. Debati kishte kaluar në përplasje fizike fillimisht mes tyre dhe kamerierit e më pas edhe punëtorëve të tjerë. Dyshohet se debati u pasua me të shtëna, e si pasojë e të cilave humbi jetën 31-vjeçari Visart Cengu, nga Kukësi. I dyshuar është Dibran Hoxhaj, i njohur për disa veprave penale.
Burime të emisionit “Betimit për Drejtësi” në KTV brenda autoriteteve të drejtësisë në Shqipëri kanë treguar se bazuar në dëshminë e dy të mbijetuarve të rastit, rezulton se ndërsa tre shtetasit shqiptarë po largoheshin pa e paguar faturën në drejtim të veturës së tipit Mercedes, ata ishin ndjekur.
Ata kanë deklaruar se “Dibran Hoxhaj-Kobra, kishte shtënë në drejtim të automjetit ende pa u nisur vetura”. Të njëjtat burime theksojnë se fillimisht ishte plagosur personi R.Sh në këmbë, i cili kishte qenë i ulur në pjesën e pasme.
Me të arritur policia, Hoxhaj kishte deklaruar se nuk kishte qenë prezent në momentin kritik, si dhe ishte palë e dëmtuar pasi konsumatorët kishin shtënë në drejtim të tyre. Drejtori i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Faton Alija ka folur për provat që janë gjetur në rastin “Kobra”, të cilat pritet të verifikohen. Në mesin e tyre, ai ka thënë se nga bastisjet në lokalet përcjellëse, është gjetur një DVR, pajisje që ruan pamjet e kamerave dhe e njëjta është dërguar për ekzaminim.
“Në media, mediat janë një burim i informatave që policia i shfrytëzon dhe rrjete të ndryshme sociale ka qarkulluar një foto që dëshmon filmime apo pamje në parkingun e atij lokali atë natë, ku vërehet edhe vetura në të cilën viktimat më vonë kanë marrë plagë dhe për njërin që ka qenë vdekjeprurëse. Ajo është një dëshmi e jona deri tash që deri në një moment të caktuar kamerat kanë funksionuar”, ka thënë Alija.
Ai ka thënë se i dyshuari për vrasje është duke u hetuar edhe për manipulim me prova.
“Një prej akuzave që i vihet në barrë të dyshuarit kryesor të këtij rasti është edhe manipulimi me prova, është i dyshuar për vrasje, armë pa leje dhe manipulim me prova, pasi në dyshojmë se ky i dyshuar apo të tjerët i kanë ndihmuar që DVR-in ta largojnë prej vendit aty, ta fshehin bashkë me armën dhe gjëra të tjera personale të këtij të dyshuari. DVR nuk është gjetur, është një DVR tjetër në bastisje në vazhdim, nuk është vërtetu a ka të bëjë me lokalin apo ka të bëjë me ndonjë objekt tjetër, është gjet nga bastisjet në vazhdim të cilin e ka marrë Prishtina dhe është në fazën e ekzaminimit. Në një lokal përcjellës sepse ky ka disa lokale si lokalin këtu apo garazhe përcjellëse”, ka deklaruar Faton Alija, drejtor i Policisë për Rajonin e Prizrenit.
Si rrjedhojë, është arrestuar edhe një person i 7-të, po ashtu me dyshimet për manipulim me prova. Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, ai ka qenë punëtor i lokalit, prezent në natën kritike./KTV