Policia ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e shtetasit Lekë Vuksanit, që ditën e djeshme vrau me armë zjarri brenda në banesën e tij 51-vjeçarin Petrit Vuksani. Autori 34-vjeçar mësohet ka kërcënuar me armë zjarri një shtetase dhe është fshehur brenda banesës së saj në rrugën “Pjetër Budi” në Shkodër. Gjithashtu në banesën ku ai ka qëndruar është gjetur dhe sekuestruar edhe arma e krimit, tip automatik. Arrestimi i 34-vjeçarit u bë pas 21 orësh kërkimesh.
Njoftimi i policisë:
Pas 21 orësh kërkime dhe ndjekje, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i vrasjes së kryer mesditën e djeshme, në lagjen “Tom Kola”.
Gjendet dhe sekuestrohet arma e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se u krye vrasja.
34-vjeçari u lokalizua në një banesë në rrugën “Pjetër Budi”, Shkodër, ku ishte strehuar pasi kishte kërcënuar pronaren e kësaj banese.
Strukturat operacionale të DVP Shkodër dhe ato të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, pasi 21 orësh, si rezultat i kërkimeve dhe ndjekjes së pandërprerë policore, me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit L. V., 34 vjeç, banues në Shkodër.
34-vjeçari u lokalizua në banesën e një shtetaseje, në rrugën “Pjetër Budi”, Shkodër, banesë në të cilën kishte mundur të strehohej pasi gjatë natës kishte kërcënuar pronaren e kësaj banese për t’i hapur derën dhe për të mos kallëzuar.
Gjithashtu, në të njëjtën banesë, u gjet edhe arma e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se autori kreu vrasjen.
Shtetasi L. V. dyshohet se rreth orës 12:15, të ditës së djeshme, në lagjen “Tom Kola”, vrau me armë zjarri automatik, në banesë, shtetasin P. V., 51 vjeç.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.