Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e djeshme në Fier, ku mbeti i vrarë biznesmeni Demir Backa. Automjeti i autorëve i cili është gjetur nga policia dhe brenda kishte armët, është djegur plotësisht duke ja bërë të vështirë hetuesve gjetjen e ndonjë gjurme për identifikimin e autorëve.
Hetuesit kanë sekuestruar dhjetëra kamera sigurie të bizneseve në vendin e ngjarjes, por edhe përgjatë rrugës ku edhe u gjet i djegur automjeti. Për ngjarjen deri më tani janë shoqëruar në komisariatin e Fierit të paktën 15 persona për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen. Mes të shoqëruarve janë edhe persona me precedent të theksuar penal në qytetin e Fierit që kanë pasur konflikte me viktimën.
Ngjarja që tronditi qytetin e Fierit ndodhi rreth orës 20:40 mbrëmjen e djeshme në vendin e njohur si rrotullimi i një qendre tregtare në Fier, kur 57-vjeçari Demir Backa sapo po hipte në automjetin e tij tip Audi. Gëzhojat e kallashnikovit u shpërndanë kudo ndërsa Backa menjëherë u transportua për në spitalin e Fierit, por nuk mundi dot të mbijetonte.
/Priza.al/