Elton Javori, 41 vjeç u ekzekutua me armë zjarri paraditen e sotme në lagjen “16 prilli” në Fier.
Ngjarja ka ndodhur rreth 100 metra larg shtëpisë së viktimës. Policia thotë se ka identifikuar autorin e dyshuar të ngjarjes dhe ka ngritur pika kontrolli për të bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e tij.
Sakaq një banor i zonës shprehet i shokuar nga ngjarja dhe thotë se viktima ishte një djalë i qetë dhe jo problematik.
“E njoh. Djali ka qenë i mrekullueshëm, i mirë, i edukuar, i sjellshëm, familja e mrekullueshme nga erdhi kjo, Zoti e di. Nuk dëgjuam krisma. Sa dola nga shtëpia, hyra në kafe e mora vesh. Djali ka babanë, nënën, vëllezërit i ka në Gjermani. Ishte shumë djalë i shoqërueshëm”, thotë ai.
Edhe Policia e Vlorës ka ngritur pika kontrolli në disa akse rrugore të qytetit të Vlorës, përgjatë autostradës Fier-Vlorë si dhe në hyrje të qytetit bregdetar për të bërë të mundur ndalimin e autorit.