Një nga pistat dyshuese për vrasjen e 8-vjeçarit Mateo Vasiu është edhe ngjarja e vitit 2006, ku autori Klodian Çalamani bashkë me shokun e tij, Florian Vasiu morën peng një vajzë, atëherë 16 vjeç.
Ky veprim i të dashurit të vajzës ka acaruar të Çalamanin dhe Vasiun, të cilët e kanë marrë peng dhe e kanë torturuar për 20 minuta, duke e kërcënuar se do i shëmtonin pjesë të ndryshme të trupit duke ia prerë me biçak.
Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit ka rezultuar se për të arritur qëllimin e tyre, Klodiani ka kërcënuar edhe motrën e tij, E. Çalamani, e cila është përdorur për të futur në kurth adoleshenten.
Në atë kohë, dy të rinjtë u dënuan nga Gjykata e Fierit, me nga katër vite burgim për veprën penale të heqjes së lirisë të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 110/2 të Kodit Penalm ndërsa u lirua nga burgu i Rrogozhinës në vitin 2009.
Nëna e vajzës së rrëmbyer rrëfeu për Shqipëria Live se ishte babai i vogëlushit Ligor Vasiu shpëtimtari i vajzës.
Sipas saj ai gjithashtu dëshmoi në prokurori për ngjarjen e rëndë, ndërsa rrëfeu se vajza është dëmtuar psikologjikisht nga ngjarja.
“Ka qenë e motra që thoshte moj ik me vrap, vajti i ati i atij që vdiq, se shkoi e shpëtoi se vajzën do e kishin vrarë. Kur erdhi çupa nxirrte shkumë nga goja. Vajza është me fiksime tani pi ilaçe s’do t’i kujtosh asgjë. Tre vite i bëri ai në burg, por policia që i lë të lirë”, tha nëna e vajzës së rrëmbyer.
Ngjarja ka tronditur thellë opinionin publik, pamjet e publikuara tregojnë qytetarë me lule në duar, të përlotur që shoqërojnë kortezhin e të ndjerit për në banesën e fundit. Të pranishëm në ceremoninë mortore ishin edhe deputeti Taulant Balla dhe kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi.
Vogëlushi u rrëmbye dhe më pas u vra një ditë më parë në fshatin Grecalli të Fierit nga fqinji i tij Klodian Çalamani.
Banorët e prekur janë shprehur se autori ka qenë problematik, ndërsa kërkojnë dënimin më të rëndë për të deri në varje në mes të Fierit.
Hetimet për vrasjen e djalit vijojnë ende ndërsa nuk dihet zyrtarisht se cili ishte shkaku i vrasjes.
/Burimi: Top Channel/