Vrasja e tre grave dhe plagosja e tre të tjerave nga Dan Hutra tronditi opinionin publik. Këto vrasje, kanë rritur rrezikun e një histori hakmarrje. Motra 53-vjeçare e Dan Hutrës e cila banon në Sauk së bashku me djalin 29 vjeçar kanë shprehur në polici pasigurinë e tyre për jetën pas vrasjeve të kryera nga Dan Hutra. Ata i druhen hakmarrjes për shkak të lidhjes së gjakut.
Përpara togave të zeza ku u njoh me masën e sigurisë burg pa afat, një ditë më parë, Hutra nuk shprehu asnjë pendesë për krimet e kryera. Hutra tregoi në gjykatë se skenarin e përgatiti teksa ishte në burg së fundmi, për dhunë në familje ndaj ish-bashkëjetueses, akuzë të cilën nuk e pranoi.
3 vrasjet e Dan Hutrës- Dan Hutra plagosi fillimisht 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi në zonën e Astirit, pasi ajo nuk pranoi t’i jepte një shumë parash që ai i kërkoi. Më pas, me makinën që kishte marrë me qira, shkoi në Paskuqan, aty ku jetonte familja e ish-partneres së tij Elena Hysa. Hapi zjarr duke vrarë motrën dhe kunatën e saj, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku si dhe plagosi Elenën dhe nënën e saj, Kujtimen.Më pas shkoi në Kamëz, në shtëpinë e Etleva Kurtit, duke e qëlluar edhe këtë të fundit për vdekje. 31-vjeçaren e vrau në shenjë hakmarrje ndaj vëllait të saj, Vladimir Kurtit, me të cilin kishte pasur konflikte gjatë kohës që kishte qenë në burg. Arratia e Dan Hutrës mori fund gjatë orëve të pasdites. Pa shkuar ende ora 19:00, ai u arrestua nga policia në zonën e Sharrës. Atje kishte shkuar për të ekzekutuar një person të katërt, Rrahman Selën, tentativë që fatmirësisht dështoi. 40-vjeçari, një person me precedentë të theksuar kriminalë, i dënuar më parë për përdhunim, vrasje e dhunë në familje, nuk ka shprehur asnjë lloj pendese për krimet e kryera.
Krimet për familjen Hutra kanë nisur herët që me vrasjen në banesë të kryefamiljarit, babait të Dan Hutrës, nga nipi i tij në vitin në 1999. Edhe pse shumë vite më parë, thuhet se sherri mes Hutrave nisi për një kalë, në prani të familjarëve të tyre, në periferi të Durrësit, aty ku sapo ishin vendosur pas largimit nga fshati i Kukësit.
Atëkohë Dan Hutra ishte rreth 18 vjeç, dhe familja ishte e bashkuar, tre motra dhe tre vëllezër. Pas kësaj ngjarje, ndryshoi gjithçka, dhe Hutra në 2003 u ekspozua me krimin e përdhunimit, për të cilin u arrestua nga policia e Devollit.