Vrasja e Fridman Xhaferajt, në 2 qershor 2023 në Korçë, është një nga krimet më shtazarake të kryera nga Laert Haxhiu dhe banda e tij me bazë veprimi në Lushnjë, Pogradec dhe Korçë.
Fridmani, sapo kishte dalë nga burgu i Peqinit, teksa akuzohet për djegien e një makine në Lushnjë, porosi që ishte dhënë nga kushëriri i tij, Laert Haxhiu. Xhaferaj dhe Haxhiu, nuk ishin thjesht dy të njohur në Lushnjë, por ata ishin kushërinj mes njëri-tjetrin.
Pas vrasjes me një plumb pistolete, Fridmani, është hedhur në ujërat e një rezervuari në Korçë, duke dalë trupi i tij i pajetë në sipërfaqen e ujit, pas 12 ditësh.
Sipas dosjes hetimore të prokurorisë së Elbasanit, jepet një tablo e qartë e aktivitetit kriminal të kryer gjatë viteve 2021 deri në vitin 2023. Për këtë periudhë kohe, ka folur Artan Tafani i arrestuar në Tiranë, duke treguar të gjitha krimet që ka kryer me Laert Haxhiun dhe anëtarët e grupit të tij.
Në rrëfimin e Artan Tafanit thuhet se brenda 24 orëve grupi i Laert Haxhiut ka kryer dy vrasje. Njërën në Tepelënë, duke ekzekutuar në derë të shtëpisë tregtarin Çajup Selimin dhe tjetrën në Korçë, duke vrarë me plumb në kokë dhe më pas hedhur në rezervuarin e Gjançit, trupin e Fridman Xhaferaj.