Në Sarandë është bukur që të kalosh disa ditë pushime, por përveç sikletit për të qarkulluar lirshëm me makinë në qytet për shkak të rrugëve të ngushta, mungesës së parkimeve dhe çmimeve të larta, një tjetër problem është edhe mungesa e rendit dhe sigurisë.
Këtë e “legjitimon” edhe kryebashkiaku i Sarandës, Adrian Gurma, i cili jo vetëm që e ka pranuar këtë problem, por edhe e ka justifikuar atë me numrin e lartë të pushuesve gjatë verës.
Gurma ka folur lidhur me vrasjet e ndodhura në qytet. Në një intervistë në emisionin “Ora Verore”, ai tha se, ngjarje të tilla kanë ndodhur dhe do të vijojnë të ndodhin, për shkak se ka fluks gjatë sezonit të verës.
Më tej, ai u ka kërkuar mediave që të mos përcjellin “konotacion negativ”, pasi kjo gjë jep edhe efekte negative në turizëm.
“Mund të them që raste sporadike ka pasur, ka dhe do të ketë, sepse Saranda në muajin gusht i katërfishon kapacitetet e veta. Në Sarandë tani që flasim ne mund të jemi te shifra 130-140 mijë banorë rezidentë bashkë më turistët, ndërkohë që në Dimër jemi te 43-45 mijë banorë.
Gjithë ky fluks, patjetër që mund të ketë edhe ndonjë situatë jo të pëlqyeshme. Por megjithatë e rëndësishme është, që ato të menaxhohen mirë nga strukturat e policisë së shtetit dhe mbrojtjes së territorit.
E dyta që është më e rëndësishme, nuk duhet dhënë konotacion negativ në media sepse, do krijojë një efekt negativ, sepse Saranda nuk e meriton”, – shprehet Gurma.
/Priza.al/