Me lot në sy dhe brohoritje për drejtësi sot para dyerve të gjykatës protestuan shokët dhe shoqet e klasës së 16-vjeçarit të vrarë në afërsi të Banjave të Tetovës nga e dashura e tij 17-vjeçare.
“Kërkojmë drejtësi për shokun tonë. E kemi pasur më shumë se shokë ka qenë djalë shumë i mirë. Na ka djegur shpirtin. Duam që e drejta të zbardhet sepse nuk është e drejtë të heshtim të gjithë dhe kjo të mbetet pa u dënuar. Drejtësi për vëllain tonë Beharin.
Kjo nuk na tronditi vetëm neve, por heshtja është bashkëpunim në vrasje sepse jo çdo gjë mund të falet, sidomos vrasja, vrasja s’ka arsyetim, vrasësi ka një emër. Një vrasje si kjo meriton një dënim të rëndë”,- këto janë thirrjet e protestuesve.
17 vjeçarja u dërgua sot para gjykatësit të procedurës paraprake. Sipas avokatit mbrojtës ajo ka mohuar kryerjen e veprës.
“E mitura mohoi çfarëdolloj implikimi apo veprimi qe ka shkaktuar pasoja vdekjeprurëse ndaj të miturit. Nga deklarata e saj mund të konstatohet një zhvendosje e pistës se hetimit në më se paku dy persona të tjerë deri më tani të pa identifikuar. Besojmë se Prokuroria pas një ekzaminimi të plotë të vendit të ngjarjes dhe sigurimit të provave do të zbardhet rasti dhe kryerësit e vërtet të veprës penale do të vihen para drejtësisë”, theksoi avokati mbrojtës.
Ndërkohë Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë ka njoftuar se po mblidhen video materialet nga kamerat e sigurisë, për të parë lëvizjen e të dyshuarës dhe për të hetuar nëse ka dhe persona të tjerë të përfshirë në vrasjen makabre.