I moshuari që vrau dje gruan dhe vëllain e tij, ka dhënë në polici dëshmi befasuese. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Tërvol të Gramshit. 80-vjeçari Xhevat Sinani është habitur kur oficeri i policisë e ka pyetur në lidhje me krimin e rëndë, duke thënë se gruaja dhe vëllai i tij kishin vdekur, por nuk e mbante mend që t’i kishte vrarë ai.
“Më ka vdekur vëllai dhe gruaja. Di që kanë vdekur, por se di s’mbaj mend gjë. Si kam vrarë”, mësohet të ketë thënë i moshuari.
Dyshohet se mëngjesin e djeshëm, 80-vjeçari ka vrarë më parë vëllanë e tij, Shaqir Sinani, 72 vjeç, duke e goditur me sëpatë dhe më pas gruan, Zegjinenë, 72 vjeçe brenda banesës. Vëllai i tij nuk banonte afër të vëllait, por kishin tokat shumë ngjitur njëri-tjetrin.
Fill pas krimit, autori ka udhëtuar rreth 1 orë e 30 minuta në këmbë për të shkuar te kushëriri i tij, ku ka pohuar se gruaja dhe vëllai i tij kishin vdekur. Autori kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer në banesën e tij pasi bashkë me gruan kishin qenë jashtë shtetit te fëmijët e tyre që janë në emigracion.
Ndërkohë vëllai i tij jetonte i vetëm, pasi gruaja i kishte ndërruar jetë prej vitesh. Po ashtu mësohet se autori ka probleme të shëndetit mendor. Aktualisht ngelen të paqarta motivet e ngjarjes./BW