Gjykata e Tiranës ka kaluar për gjykim dosje e efektivit, Ludjan Zaimi që vrau në komisariat kolegun Çaush Saliasin. Ai akuzohet për vrasje me dashje dhe nuk përfiton gjykim të shkurtuar. Ludjan Zaimi, 25-vjeç zgjodhi të heshtë, që nga momenti që mësoi se kolegu Çaush Saliasi, që qëlloi 7 herë me pistoletë, kishte ndërruar jetë.
Në seancën gjyqësore të 25 majit (disa ditë pas vrasjes), ai nuk tha asgjë, thjesht ka mësuar vendimin e Gjykatës së Tiranës që e la në burg, ndonëse avokati i tij kërkoi një masë më të lehtë. Gjykatësi Sokol Pasha ka kërkuar gjithashtu edhe një ekspertizë mjeko-ligjore të autorit, kjo sepse gjatë kontrollit në banesë, atij iu gjetën anti- depresantë seroquel, medikament që përdoret për të kuruar skizofreninë, çrregullime bipolare si dhe për probleme të tjera të rënda mendore.
Me këtë pretendim, 25-vjeçari tentoi t’i shpëtonte krimit të tij, por sipas ekspertizës i riu rezulton në gjendje normale. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 23 majit teksa po ndërroheshin turnet dhe në sallë ishin kolegët e tjerë. Zaimi duket se e kishte të qartë shënjestrën e tij ndaj i bëri thirrje efektivëve të pranishëm që të ulnin kokat.